DYLON

Komiteti i Arsimit përkrah propozimin për stimulimin e nxënësve të bujqësisë me bursa

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti i Arsimit (KA) në Gjilan i ka dhënë përkrahje propozimit të Drejtorisë së Arsimit për ndarjen e 50 bursave për nxënësit e shkollës së Agrobiznesit, si nevojë për motivimin e të rinjve për drejtimet profesionale, ku aktualisht interesimi është shumë i ultë. Njëherësh, KA ka kërkuar të shikohen mundësitë për rritjen e numrit të bursistëve.

Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit, ka thënë se kjo trupë komunale mund të kërkojë rritjen e numrit të bursave, por problem është sigurimi i mjeteve, për shkak të vështirësive financiare.

EkoHigjiena

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se shkolla e Agrobiznesit rrezikon të mbyllet në të ardhmen, për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Ndarja e bursave për nxënësit e bujqësisë do të jetë pjesë e konkursit për regjistrim në shkollat e mesme, ka thënë Musa, duke sqaruar se për këtë qëllim është planifikuar një shumë e mjeteve prej 17.500 euro.

Fehmi Sylejmani (VV) tha se stimulimi nxënësve të bujqësisë me bursa, është ideja më kreative e Drejtorisë së Arsimit, kurse Shukrije Rapuca (PDK) ka thënë se Gjilani është kampion për prodhime bujqësore, prandaj nuk duhet të kursej kur është në pyetje stimulimi i të rinjve për t`i orientuar në shkollën e agrobiznesit.

Njëherësh, KA është njoftuar nga drejtori Nazmi Musa se kanë përfunduar procedurat e emërtimit dhe riemërtimit të disa shkollave, ndërsa për disa të tjera, MASHT-i ka kërkuar plotësim të propozimeve.

Kësisoj shkolla “Abaz Ajeti” prej shtatorit të këtij viti do të quhet “7 Marsi”, shkolla në lagjen “Zabeli…” që deri tani ka qenë e pa emërtuar, do të quhet “Zija Shemsiu”, kurse shkolla e mesme e Artit Pamor do të mbajë emrin “Adem Kastrati”.

Për tri shkolla tjera, gjimnazin e ri, që është propozuar të quhet “Xhavit Ahmeti”, shkollën në lagjen “Kodra e Dëshmorëve” (e njohur si lagja 2), që është propozuar të quhet “Sadullah Brestovci” si dhe për shkollën në Lagjen e Re (e njohur si lagja 8), që është propozuar të mbajë emrin “Nazmi Hoxha”, është kërkuar plotësimi i procedurave.

Edhe Kishnapola ka kërkuar riemërtimin e shkollës së fshatit, nga “Afërdita” në “Nijazi Osmani”. Edhe kjo dosje duhet të plotësohet, ka thënë Musa, duke nënvizuar se të gjitha propozimet janë bërë nga këshillat e shkollave. Detyura e DKA-së ka qenë që t`i përcjellë propozimet në MASHT, që është përgjegjës për emërtimin e shkollave, në bazë të propozimeve të dërguara.
KA është njoftuar edhe me rezultatet e testit të arritshmërisë. Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se Gjilani ka arritur të dalë komuna e parë në nivel të vendit në testin për klasat e nënta dhe ky është një sukses i punës së mirë që kanë bërë nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj komune gjatë kësaj faze të shkollimit.

Në nivel komunal, rezultetat më të mira i ka arritur shkolla “Selami Hallaqi”, e cila pasohet nga “Abaz Ajeti”, ndërkaq suksesin më të dobët e ka pasur shkolla “Bajram Curri” e Shurdhanit.

Përndryshe, sa i përket regjistrimit në klasën e parë fillore, Musa ka thënë se do të vazhdojë të zbatohet formula e deritashme, ku merret paraysh rajonalizimi, numri i barabartë i nxënësve nëpër paralele, gjina dhe përzgjedhja sipas alfabetit. /2L ONLINE/

/fotoilustruese/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.