(2LONLINE) – Komiteti i Arsimit,pasi është njoftuar hollësisht mbi gjendjen e krijuar në Shkollën e Arteve Pamore, ku prej 24 prillit është duke u penguar mësimi nga një grup nxënësish, me kërkesë për dorëheqjen e drejtorit, i ka rekomanduar Drejtorisë Komunale të Arsimit, që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore me qëllim të normalizimit të situatës dhe vazhdimin e mësimit nga dita e hënë.
Gjithashtu u kërkua nga DKA që ndaj atyre që cenojnë procesin mësimor, të ndërmerren masa disiplinore, në përputhje me rregulloren dhe ligjin. Arben Mehmeti, kryesues i KA tha se procesi mësimor në Shkollën e Arteve Pamore duhet të normalizohet urgjentisht dhe nga dita e hënë nuk duhet të ekzistojë asnjë arsye për të mbajtur shkollën të mbyllur.
Këtij rekomandimi i ka paraprirë një debat i gjerë mbi gjendjen në këtë shkollë, ku siç tha Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, bojkoti ka filluar më 24 prill. Ai ka thënë se problemi është krijuar nga një grup i vogël i nxënësve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e drejtorit Avni Behluli, duke nënvizuar se ata kanë përkrahje nga një treshe e mësimdhënësve, të cilët e bëjnë këtë për interesa të tyre të ngushta.
Musa ka paralajmëruar inicimin e procedurave disiplinore ndaj atyre që i kanë kontribuar kësaj situate në Shkollën e Arteve Pamore dhe kanë penguar mbajtjen e mësimit. “Nëse ne tregohemi të pa zot për të hapur shkollën, atëherë u japim mundësi atyre që nuk ia duan të mirën shkollës, që ta mbyllin atë”, ka thënë Musa.
Gjendjen e kanë përshkruar para Komitetit të Arsimit edhe Avni Behluli, drejtor i shkollës, Zejnullah Zejnullahu, anëtar i Këshillit të Shkollës, Fatzona Maliqi, përfaqësuese e nxënësve si dhe Maliq Maliqi, anëtar i Këshillit të Shkollës, të cilët nuk e kanë përjashtuar mundësinë për përshkallëzimin e situatës, ditën e hënë, kur duhet të rifillojë mësimi, nëse nuk ndërmerren masa paraprakisht.
Rashit Sahiti (LDK) tha se drejtorët e shkollave nuk mund t`i heqin nxënësit dhe as mësimdhënësit, pse nuk u pëlqejnë disave prej tyre, por ekzistojnë procedurat e caktuara e si bëhet kjo.
Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se për të pasur një pasqyrë më të qartë për gjendjen në këtë shkollë, është dashur të ftohet edhe pala tjetër për t`u dëgjuar, ndërkaq situatën e krijuar nga, siç u tha, një grup nxënësish, e cilësoi si paaftësi edhe të drejtorit për të menaxhuar.
Florina Jerliu (LDK) tha se pajtohet me rekomandimet për normalizimin e procesit mësimor në Shkollën e Arteve Pamore, ndërkaq sa i përket disa dyshimeve të ngritura, sugjeroi që ajo pjesë t`i lihet hetuesisë.
Drejtori i Arsimit, Nazmi Musa e ka njoftuar Komitetin për punën 100 ditëshe si dhe është përgjigjur edhe në pyetjet e anëtarëve të kësaj trupe komunale, e cila njëherësh i ka dhënë mbështetje DKA-së, për punën e deritashme.
Ndërkaq, sa u përket ekskursioneve, maturave, semi-maturave dhe fotografimeve, Komiteti kërkoi zbatimin e Udhëzimit Administrativ te këto organizime si dhe t`i menaxhojë ato si është më së miri. Arben Mehemti, kryesues i KA tha se në të kaluarën nuk është zbatuar rregullorja, duke nënvizuar si shembull mos përfshirjen e përfaqësuesit të prindërve në vizitat e nxënësve jashtë Komunës së Gjilanit, siç parashihet.
Fehmi Sylejmani (VV) tha se personalisht është kundër ekskursioneve, sepse nxënësit nuk menaxhohen si duhet, por nëse ato nuk mund të ndalohen krejtësisht, atëherë duhet shikuar mundësinë për shkurtimin e kohëzgjatjes.
Sa i përket rastit të ngritur në takimin e kaluar nga Rashit Sahiti, sipas të cilit drejtori i shkollës në Malishevë vazhdimisht shkel ligjin keqpërdorë pozitën e tij zyrtare, KA i rekomandoi DKA-së që në mënyrë të hollësishme të merret me çështjen e ngritur dhe t`i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, në përputhje me gjendjen e konstatuar.
Njëherësh, KA i rekomandoi KPF ndarjen e mjeteve për bursa të studentëve, në shumë prej 30 mijë euro. Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, tha se nevojat për bursa janë më të mëdha, por kaq mjete kemi sivjet në zotërim për këtë qëllim, duke rikujtuar se 20 mijë euro të tjera janë borxhe për bursat e vitit të kaluar, që nuk janë paguar nga qeverisja e kaluar. /2LONLINE/