(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit e ndihmuar edhe nga UN – HABITAT, ka nisur punën për regjistrimin e të gjitha familjeve të cilat kërkojnë strehim, duke krijuar kështu data-bazën e saktë për secilën familje veç e veç, e që në të ardhmen në bazë të mundësive buxhetore të Komunës të intervenohet konform prioriteteve.
Me këtë rast Mursel Zymberi anëtar i komisionit ka thënë se ky ishte një takim i komisionit për hartimin e planit për zgjedhjen e çështjes së banimit për rastet sociale që ka Komuna e Gjilanit.
“Kemi marrë detyra shtesë në mënyrë që t’i kategorizojmë familjet duke i futur në data-bazën e komunës si në aspektin e gjendjes sociale të cilën e kanë, problemin e banimit, pastaj numrin e anëtarëve të këtyre familjeve, personat të cilët i kanë me nevoja të veçanta, rastet me probleme shëndetësore në familje etj. Mbledhja e statistikave do të nis menjëherë, konform detyrave të ndara në këtë mbledhje mes anëtarëve të komisionit, ndërsa në javën e ardhshme në mbledhjen e radhës do të bëhet prezantimi i tyre i detajuar. Shumë shpejtë do të nxjerrim një profil të saktë për familjet të cilat kanë problem banimi e më pas në bazë të mundësive buxhetore t’u jepet prioritet rasteve emergjente, ka thënë Murseli, duke shtuar se zotimi i kryetarit Haziri, për të ndihmuar familjet me gjendje të rëndë sociale, e posaçërisht atyre me probleme të banimit, veçse është vërejtur javë më parë me ndarjen e një fondi të posaçëm për këtë kategori.
Ai më tej ka potencuar se me reputacionin që ka kryetari Haziri brenda dhe jashtë vendit, do të përfitojnë vazhdimisht familjet e këtyre kategorive.
“Duke e parë vullnetin dhe reputacionin që ka kryetari Haziri unë jam shumë i bindur se pos atij vendimit të Kuvendit për një pjesë të mjeteve, kryetari jam i bindur se përmes donacioneve do të siguroj edhe më shumë mjete në mënyrë që t’u ndërtohet kulm mbi kokë familjeve që sot breng kryesore kanë këtë, në mesin e shumë brengave të tjera sociale, ka thënë ai ndër të tjerash. /2L ONLINE/