DYLON

Komisioni Parlamentar i Kosovës po qëndron në Luginë

Avatar photo Redaksia

Përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, pranë Parlamentit të Kosovës , të kryesuar nga drejtuesi i tij, deputeti Nait Hasani, kanë nisur vizitën e tyre zyrtare dyditëshe në Luginën e Preshevës.

Në takimin e parë të zhvilluar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc, kryetari i këtij organi Jonuz Musliu, fillimisht deputetët e Kuvendit të Kosovës i njoftoi me përbërjen dhe funksionimin e Këshillit.

EkoHigjiena

Më tej, delegacioni në fjalë u njoftua me problemet e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht mungesa e teksteve shkollore në të gjitha nivelet e arsimit, shpejtimi i procesit të njohjes së diplomave universitare dhe angazhimin konkret lidhur me lejimin e përdorimit të teksteve shkollore nga Kosova dhe Shqipëria, raporton portali Titulli.com.

Deputeti nga Kosova Nait Hasani theksoi që kjo është vizita e parë zyrtare në vendbanimet shqiptare në Luginë të Preshevës, prandaj shprehu përkushtimin e tij për zgjidhjen e këtyre problemeve në kuadër të punëve që bën Komisioni i arsimit dhe angazhimin e tërësishëm të institucioneve të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Pas takimit të zhvilluar në selinë e KKSH-së, përfaqësuesit në fjalë, të shoqëruar edhe nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, janë takuar edhe me deputetët popullor në parlamentin republikan.

Në takim e dytë me deputetët nga Lugina e Preshevës, Riza Halimin e Shaip Kamberin, është biseduar për gjendjen e arsimit shqip në Luginë i cili po ballafaqohet me probleme të shumta, ndërsa në veçanti në fokus të bisedës ka qenë çështja e njohjeve të diplomave.

Deputetët shqiptarë, me këtë rast, kanë kërkuar nga mysafirët kosovarë që kjo çështje të ritheksohet sërish në bisedimet e Brukselit midis zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të gjendet një zgjidhje adekuate për të rinjtë e Luginës që kanë përfunduar studimet në Universitetet e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Luginë, përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport pranë Parlamentit të Kosovës do të takohen edhe me krerët e Bujanocit dhe Preshevës, do të vizitojnë disa shkolla, ndërsa vizita e tyre përfundon me takime në komunë të Medvegjës.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.