Kombëtarja shqiptare miqësore kundër Kolumbisë
Kombëtarja shqiptare pritet të luajë më 5 mars ndaj një superskuadre, siç është Kolumbia, e katërta në botë sa i përket renditjes së FIFA-s.
Ndonëse nuk është ende zyrtare, pasi po punohet për detajet e fundit, burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se kompania, që po merret me organizimin e kësaj miqësoreje, e ka mbyllur thuajse kontratën me të dyja federatat përkatëse: shqiptare dhe kolumbiane, ka bërë të ditur Panorama-Sport.
Ndeshja me shumë mundësi do të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës, kjo edhe për faktin se pjesa më e madhe e lojtarëve të të dyja skuadrave luajnë në kampionate në Evropë. Në këtë këndvështrim, është më e lehtë zhvillimi i kësaj ndeshjeje.
Kujtojmë se dy takimet e fundit të Kolumbisë janë luajtur pikërisht në Europë, pasi bëhej fjalë për dy miqësore: më 14 nëntor 2013 në Bruksel ndaj Belgjikës (fitoi 2-0 falë golave të Falcaos e Ibarbos) dhe më 19 nëntor ndaj Hollandës (0-0).
Por ajo që nuk do ti pëlqejë tifozëve sdhqiptarë është fakti se dje ylli i kolumbianëve Radamel Falcao pësoi një dëmtim serioz dhe rrezikon edhe pjesëmarrjen në Kupën e Botës “Brazil 2014″.
