Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharit i ndahet medalja “Shërbim i Shquar”
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Forcës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ndau Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, medaljen “Shërbim i Shquar”, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, përkushtimin dhe shërbimin ndaj Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, u vlerësua rrugëtimi jetësor dhe ushtarak i Gjeneral Jasharit, i cili nga qëndresa e familjes Jashari në Prekaz dhe angazhimi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, vazhdoi shërbimin ndaj vendit edhe pas luftës, duke kontribuar në zhvillimin e institucioneve të mbrojtjes.
Gjatë pesë viteve në krye të FSK-së, Gjenerallejtënant Jashari udhëhoqi procese të rëndësishme të transformimit dhe modernizimit të Forcës, fuqizimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimit të bashkëpunimit me vendet aleate dhe partnere.
Ministri Maqedonci e falënderoi Gjeneral Jasharin për bashkëpunimin e ngushtë, lidershipin dhe kontributin e çmuar në shërbim të sigurisë, sovranitetit dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës. /2LONLINE/
