Komandanti i FSK-së priti në takim Oficerët të cilët kanë përfunduar me sukses kursin për Ranger në SHBA
Komandanti i FSK-së priti në takim Oficerët të cilët kanë përfunduar me sukses kursin për Ranger në SHBA.
Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari fillimisht i përgëzoi pjesëtarët për suksesin e arritur, duke theksuar rëndësinë e veçantë të këtij trajnimi, i cili njihet si një ndër kurset më sfiduese ushtarake dhe taktike.
Ai theksoi se ky trajnim avancon ndjeshëm nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë operacionale të trupës së oficerëve të FSK-së.
Që nga viti 2023, pjesëtarët tanë kanë shënuar arritje të konsiderueshme: fillimisht, Kapiten Ylli Dalladaku u bë oficeri i parë i FSK-së që e përfundoi me sukses këtë kurs. Në vitin 2024, të njëjtin sukses e arriti edhe Toger Egzon Elshani. Veçanërisht domethënëse është arritja e këtij viti, ku Toger Vesa Ibrahimi bëhet oficerja e parë nga radhët e FSK-së që e përfundon këtë kurs, duke qenë njëkohësisht edhe një nga të paktat pjesëtare femra ndërkombëtare që kanë përfunduar me sukses një nga kurset më sfiduese të ushtrisë amerikane.
Në përmbyllje të takimit, gjeneral Jashari i uroi oficerët për suksesin e arritur, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit dhe profesionalizmit të pjesëtarëve të FSK-së në trajnimet ndërkombëtare. Ai theksoi rëndësinë e shpërndarjes së përvojës dhe aftësive të fituara me pjesëtarët tjerë të FSK-së, në funksion të forcimit të kapaciteteve të përgjithshme të forcës. /2LONLINE/
