Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama me ftesë të Komandantit të Gardës Kombëtare të Aiovës, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Me këtë rast, gjenerallejtënant Rrahman Rama fillimisht u prit nga Guvernatori i shtetit Aiova, Terry E. Branstad, takim ky i cili ishte edhe konfirmim për vazhdimin e bashkëpunimit në kudër të partneritetit shtetëror të Republikës së Kosovës me shtetin e Aiovës së SHBA-ve.
Fillimisht, gjeneral Rama e falënderoi Guvernatorin Branstad për përkrahjen që shteti i Aiovës i ka dhënë dhe po vazhdon ti jap, gjatë këtyre viteve, shtetit të Kosovës si dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në veçanti, duke e njoftuar Guvernatorin edhe për zhvillimin, të arriturat si dhe planet për të ardhmen e FSK-së e gjithashtu.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama si dhe Guvernatori i shtetit Aiova, Terry Brandstad në takim u shprehen të gatshëm për thellimin dhe avancimin e bashkëpunimit në kuadër të ,,Partneritetit shtetëror Kosova – Aiova’’.
Më tej gjatë vizitës në ShBA, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama zhvilloi takim edhe me komandantin e Gardës Kombëtare të Aiovës, gjeneral Timothy Orr.
Me këtë rast, gjeneral Rama e falënderoi gjeneralin Orr për përkrahjen që Garda Kombëtare e shtetit Aiova ka dhënë për FSK-në e gjithashtu e njoftoi atë mbi të arriturat e FSK-së si dhe për planet dhe synimet për të ardhmen e saj.
Gjithashtu, në takim me gjeneral Ramën, Komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit të Aiovës, gjeneral Orr konfirmoi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen ë shumë fusha, për të cilat ka gatishmëri nga të dy palët, e që janë të parapara mbi bazën e marrëveshjes së bashkëpunimit.
Në takimin e delegacionit nga Forca e Sigurisë së Kosovës në krye me gjeneral Ramën dhe delegacionin pritës të Gardës së Aiovës, u bënë dy prezantime, njëri për të arriturat e FSK-së e gjithashtu edhe një prezantim i detajuar i bashkëpunimit në mes FSK-së dhe Gardës së Aiovës.
Gjithashtu, gjeneral Rama dhe delegacioni i Forcës së Sigurisë, Atasheu i FSK-së në ShBA, gjeneral brigade Xhavit Gashi, shefi i Departamentit për Bashkëpunim dhe Siguri, kolonel Ilir Qeriqi, vizituan edhe ambientet trajnuese dhe stërvitore të Gardës Kombëtare të Aiovës. dhe mundësinë e bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe shkëmbimit të përvojave.