Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari mori pjesë në punimet e konferencës së Kartës së Adriatikut A5
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari mori pjesë në punimet e konferencës së Kartës së Adriatikut A5.
Konferenca e Kartës së Adriatikut këtë vit është mbajtur në Zadër të Kroacisë nën drejtimin e Komandantit të komandës Amerikane për Europë (EUCOM), Gjeneral Alexus G. Grynkewich dhe në mikpritje me partnerët nga Forcat e Armatosura Kroate, dhe me pjesëmarrjen e shefave të mbrojtjes nga Ballkani Perëndimor. Gjatë kësaj konference të nivelit të lartë, fokus i veçantë iu kushtua sfidave aktuale gjeopolitike dhe domosdoshmërisë për rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkan, si një garanci për stabilitet afatgjatë dhe paqe të qëndrueshme.
Në margjinat e konferencës, Komandanti i FSK-së zhvilloi takime të rëndësishme dypalëshe me liderë të lartë ushtarakë ndërkombëtarë, përfshirë Komandantin e EUCOM-it Gjeneral Alexus G. Grynkewich, dhe Zëvendëskomandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFC Naples) Gjeneral Peter K. Scot.
Në këto takime u diskutua për thellimin e ndërveprueshmërisë mes forcave, koordinimin e përbashkët operacional dhe mbështetjen e vazhdueshme strategjike që aleatët euroatlantik ofrojnë për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Gjithashtu gjatë kësaj konference Komandanti FSK-së u takua edhe me komandantin e Gardës kombëtare të Ajovas, Gjeneral Majorin Stephen Osborn ku u diskutua rritja e bashkëpunimit dhe forcimi i parteritetit mes dy forcave tona.
Gjatë fjalës së tij në konferencë, GLT Jashari adresoi vizionin e Kosovës për të ardhmen e sigurisë rajonale, duke shtruar kërkesën zyrtare që Kosova të pranohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut. Ai ritheksoi se tranzicioni i suksesshëm i FSK-së dhe gatishmëria e saj për të kontribuar në misione ndërkombëtare e bëjnë vendin një partner të besueshëm dhe të natyrshëm, i cili meriton të jetë pjesë e plotë e të gjitha strukturave dhe iniciativave të sigurisë euroatlantike. /2LONLINE/
