Komandanti i FSK-së priti me ceremoni ushtarake shefin e Shtabit të Përgjithshëm të  FARSH-së

Komandanti i FSK-së priti me ceremoni ushtarake shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), gjenerallejtënant Rrahman Rama priti në vizitë zyrtare me ceremoni ushtarake shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Në fillim të agjendës së tyre, komandantët patën një takim kokë më kokë.

Më pas gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku i shoqëruar edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, u prit nga ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK) Rrustem Berisha.

Gjatë takimit të dyja palët vlerësuan lart bashkëpunimin e deritashëm në mes dy forcave, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si mjaft të dobishëm sidomos në shkëmbim të eksperiencave.

Ministri Berisha e njoftoi gjeneral Kollçakun me të arriturat e FSK-së, procesin e përgatitjeve për transformim të saj në Forca të Armatosura (FAK), integrimin e komuniteteve pakicë në radhët e FSK-së, trajnimet, edukimin, stërvitjet si dhe objektivat strategjikë të MFSK-së dhe FSK-së.

Krahas kësaj, u fol edhe për hapat nëpër të cilët ka kaluar FSK-ja që nga formimi i saj, duke përfshirë edhe Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë, objektivat për të ardhmen, transformimin, si dhe për fushat dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit edhe për vitin e ardhshëm.

Më pas të dy gjeneralët dhanë nga një deklaratë për media.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), gjenerallejtënant Rrahman Rama, deklaroi se FSK çdo herë ka bashkëpunuar më FARSH dhe se në të ardhmen ky bashkëpunim do të thellohet edhe më shumë, duke përfshirë edhe fusha të tjera të sigurisë, por edhe shkëmbimin e përvojave të të dy ushtrive.

“E di se për gjeneralin kjo nuk është vizita e tij e parë në Kosovë, ndërsa në cilësinë e shefit të Shtabit vjen për herë të parë, andaj është nder dhe kënaqësi për ne që ta kemi këtu. Unë e falënderova gjeneralin për gjithë përkrahjen dhe mbështetjen që kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve, sidomos gjatë këtij vit. Mund të them se Forca e Sigurisë së Kosovës po e përmbyll një vit të suksesshëm dhe pjesë e këtij suksesi padyshim janë edhe Forcat e Armatosur të Shqipërisë. Ne diskutuam edhe për thellimin e bashkëpunimit edhe për vitet e ardhshme. Absolutisht ne do ta kemi këtë përkrahje dhe kemi nevojë për eksperiencat e shtetit shqiptar dhe të ushtrisë shqiptare, në veçanti në aspektin e integrimit në strukturat veri-atlantike”, – tha komandanti i FSK-së.

Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku u shpreh i kënaqur më të arriturat e FSK-së që nga formimi i saj, duke theksuar bashkëpunimin me Forcat e Armatosura si dhe ndihmën e FSK-së në operacionin e fundit pas përmbytjeve të disa zonave në Shqipëri.

“Jam shumë i mrekulluar nga prezantimi, por më shumë nga progresi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në këtë periudhë të shkurtër të lindjes dhe zhvillimit duke arritur Kapacitete e Plota Operacionale. Përfitoj nga rasti ta falënderoj gjeneral Ramën, ministrin e Mbrojtjes dhe Qeverinë e Kosovës për ndihmën e menjëhershme profesionale në rastin e emergjencave që kishim në Shqipëri për shkak të përmbytjeve. FSK-ja e tregoi veten jo vetëm në reagimin e menjëhershëm por edhe me profesionalizimin e anëtarëve të saj, duke inspektuar dhe duke kryer rekonicion xhenier në urat e dëmtuara dhe duke ndihmuar popullsinë në zonat afektuaka dhe po ashtu dhe me sasinë e urave që dhuroi për FARSH. Bashkëpunimi ynë për 2017 ka qenë shumë i mirë, janë realizuar të gjitha aktivitete e parashikuara, plani i vitit 2018 parashikon shtim të aktiviteteve jo vetëm në sasi por edhe në cilësi dhe kjo përkon me 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës por edhe më vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ne jemi të vendosur ta mbështesim transformimin nga FSK në FAK brenda ndryshimeve kushtetuese në konsultim me partnerët. Jemi të vendosur që bashkëpunimin ta thellojmë sidomos në fushën e trajnimit, edukimit por edhe të stërvitjeve, pa e lenë pas dore edhe mundësinë që FSK të jetë pjesë në Operacionet e NATO-s për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe më gjerë së bashku më Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sepse niveli profesional dhe përgatitja e lejojnë një mundësi të tillë, pra duke shikuar të gjitha modalitetet”, – përfundoi gjeneral Kollçaku.

KOMENTE