DYLON

Komandant Roki, njeriu që nuk njohu kufij për lirinë shqiptare

Komandant Roki, njeriu që nuk njohu kufij për lirinë shqiptare
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Izmi Zeka

Sot mbushen 25 vjet nga varrimi i njërit prej figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, Heroit Rrahim Beqiri – Komandant Roki.

EkoHigjiena

Ai ishte njëri prej atyre burrave që jetën e kishin shkrirë me idealin e lirisë. Çdo hap i tij ishte në shërbim të atdheut, çdo frymëmarrje ishte betim për çlirimin kombëtar. Për këtë arsye, rënia në altarin e lirisë nuk ishte fundi i tij, por përmbushja e misionit që i kishte vënë vetes.

I lindur në Kopërnicë të Dardanës, ai u rrit nën frymën e traditës së lavdishme të kësaj treve, të ushqyer nga qëndresa e të parëve, nga epopeja e luftës së Kikës, nga figura e Mulla Idriz Gjilanit dhe nga sakrifica e shumë dëshmorëve që e bënë lirinë ideal të përhershëm.

Edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, Komandant Roki nuk e konsideroi misionin e tij të përfunduar. Për të, kufijtë politikë nuk kishin kuptim përballë fatit të kombit. Shqipëria etnike ishte hapësira ku flitej shqip, ku shqiptarët jetonin të robëruar dhe ku liria mbetej ende një domosdoshmëri.

Prandaj, ai iu bashkua luftës së shqiptarëve në Maqedoni, të organizuar nën ombrellën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në betejat e Drenovecit të Tetovës u plagos rëndë dhe, në mesnatën e 1 gushtit 2001, ndërroi jetë në Spitalin e Prishtinës si pasojë e plagëve të marra. Më 2 gusht 2001, mijëra qytetarë e përcollën për në banesën e fundit, duke e shndërruar varrimin e tij në një betim të ri për lirinë.

Sa më shumë kalon koha, aq më tepër madhështohet figura e tij. Lavdia e heronjve nuk zbehet; ajo rritet me brezat, sepse ndërtohet mbi sakrificën, mbi idealin dhe mbi dashurinë e pakushtëzuar për atdheun.

Heroizmi nuk njeh kufij. Ai shfaqet aty ku ka padrejtësi, aty ku liria mohohet dhe ku dinjiteti njerëzor kërkon mbrojtje. Në këtë kuptim, Komandant Roki nuk luftoi vetëm për një copë tokë, por për të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e tyre.

Jo rastësisht heronjtë janë të papërsëritshëm. Ata lindin rrallë, por mbeten të pavdekshëm në kujtesën e popullit. Jeta e tyre bëhet udhërrëfyes për brezat, ndërsa sakrifica e tyre shndërrohet në themel të lirisë.

Në këtë 25-vjetor të varrimit të tij, portreti i Komandant Rokit vetëm sa bëhet më i madh. Ai vazhdon të qëndrojë simbol i trimërisë, i përkushtimit dhe i idealit kombëtar, duke na kujtuar se liria nuk është dhuratë, por amanet që duhet ruajtur me përgjegjësi.

Lavdi e përjetshme Heroit Rrahim Beqiri – Komandant Roki! /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.