Në disa pikë kalime kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë janë krijuar kolona me pritje të gjata. Departamenti i Policisë Kufitare, saktësisht zyrtarët policorë të pikë kalimeve kufitare Merdare, Dheu i Bardhë dhe Mutivodë, informojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë krijuar kolona dhe pritje të gjata në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë.
Pritjet më të theksuara janë kryesisht në dalje të pikë kalimeve kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, ku kolonat janë të gjata diku nga 1-2 kilometra dhe pritjet zgjasin me orë të tëra me kohëzgjatje rreth 2 deri në 4 orë. Ndërsa sa i përket pikë kalimit kufitarë në Mutivodë, në dalje pritjet janë të shkurtëra në kohëzgjatje normale prej 10-20 minutave.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se në Merdarë janë krijuar kolona të gjata si pasojë e fluksit të madh të bashkëatdhetarëve të cilët pas festës se Vitit të Ri po kthehen në shtetet ku jetojnë. Sipas tij, pritjet kanë filluar që mbrëmë dhe kryesisht autokolona qëndron në pritje 1 deri në 2 orë.
Policia e Kosovës me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe shkurtimit të pritjeve të gjata, me kohë ka shtuar numrin e zyrtarëve policor nëpër këto pikë kalime kufitare, ku është duke punuar me intensitet të shtuar, duke shtuar edhe korsi shtesë të kontrollit kufitar.