DYLON

Koha për veprim të guximshëm dhe të qëndrueshëm

Koha për veprim të guximshëm dhe të qëndrueshëm
Avatar photo Redaksia

Nga: Murat Mustafa – /njohës i çështjeve të arsimit/

Sistemi arsimor në Kosovë ndodhet në një periudhë të ndjeshme, në të cilën përpjekjet për reformë janë të dukshme në letër, por zbatimi praktik mbetet i cunguar.

EkoHigjiena

Kurrikula e re, e bazuar në kompetenca, paraqet një hap të rëndësishëm drejt një arsimi më modern dhe të orientuar në zhvillimin e nxënësit si individ i plotë. Por pa mbështetje të duhur për mësimdhënësit, pa tekste shkollore cilësore dhe pa infrastrukturë adekuate, kurrikula mbetet një ide e mirë, por e pa përkthyer në realitet.

Shumë mësimdhënës janë të motivuar dhe të gatshëm për ndryshim, por ndihen të lënë anash kur vjen puna te vendimmarrja.

Udhëzimet administrative ndryshojnë shpesh, pa një proces të hapur konsultimi me profesionistët. Kjo po sjell paqartësi në implementim.

Pastaj, tekstet shkollore vazhdojnë të jenë një problem serioz: me gabime të shumta, përmbajtje të papërshtatshme për moshën e nxënësve dhe shpesh të huazuara pa u përshtatur me realitetin tonë kulturor dhe gjuhësor.

Pushimet shkollore janë të pakoordinuara me nevojat e nxënësve dhe mësimdhënësve. Ngarkesa javore është shpesh e papërballueshme, sidomos në klasat e ulëta, duke ndikuar negativisht në cilësinë e të nxënit dhe në shëndetin mendor të nxënësve.

Prandaj, është koha për një qasje të re, të guximshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme ndaj sistemit arsimor.

Çfarë duhet të ndryshojmë?

1.Rishikim i Kurrikulës në  tërësi. Përshtatja sa më e mirë, që të gjenë zbatim në tërësi. Pastaj zbatimi i vërtetë të shoqërohet me trajnime cilësore, mjetet praktike dhe mentorim të vazhdueshëm.

2.Rishikim i plotë i teksteve shkollore, me përfshirje të autorëve dhe ekspertëve vendas, në bashkëpunim me mësimdhënësit praktikues.

3. Riorganizim i vitit shkollor, duke përfshirë pushime të strukturuara pranverore dhe vjeshtore, që ndihmojnë në rimëkëmbjen e energjisë dhe fokusit.

4. Konsultim real me mësimdhënësit në çdo reformë, përmes grupeve këshilluese profesionale në nivel komunal dhe nacional.

5. Investim serioz në infrastrukturë dhe digjitalizim, për të siguruar kushte dinjitoze për të nxënë e për të mësuar.

6. Motivim dhe vlerësim real për mësimdhënësit, përmes kushteve të mira të punës, mbështetjes së zhvillimit profesional dhe njohjes së punës së tyre.

Arsimi nuk është vetëm një sektor – është themeli i së ardhmes së një shteti. Andaj, në vend të reformave të copëzuara dhe të përkohshme, Kosova ka nevojë për një vizion të qartë, të mbështetur në dialog të hapur dhe partneritet të vërtetë me ata që e mbajnë sistemin gjallë çdo ditë: mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.

Pjesa e I-rë.