Koha për pushim nga politika, assesi për të heshtur!
Ardian Azemi
Ka një kohë për t’u angazhuar dhe një kohë për t’u tërhequr. Ka një ritëm që e vendos jeta vetë, dhe ne duhet të kemi urtësinë për ta ndjekur.
Sot, ndjej se ka ardhur koha të mos jem më pjesë e garës në zgjedhjet lokale, e as i pranishëm në jetën politike për një periudhë të pacaktuar.
Pas një kohe të gjatë në rrugëtimin politik me angazhime, beteja, përgjegjësi dhe mësime, ndjej nevojën për të pushuar. Jo për të hequr dorë, por për të lëshuar rrugë. Pra, largimi ndonjëherë ndodh edhe si mësim për tjetrin. Dorëheqja nuk të mbytë.
Nuk ndjehem i pazëvendësueshëm. Aleanca ka njerëz të përgatitur, të guximshëm dhe të denjë për të përballuar sfidat e kohës. U uroj suksese të sinqerta dhe përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta.
Nuk dua të flas gjatë për këtë vendim. Nganjëherë, është më e mençur të flasë heshtja dhe të rrjedhë koha. E ardhmja do të zbulojë më shumë sesa mund të shprehim tani.
Do të jem aktiv, ndoshta më shumë se kurrë ,si qytetar i lirë. Do të flas kur të tjerët heshtin, do të kundërshtoj kur padrejtësia bëhet normë, dhe do të qëndroj përballë keqqeverisjes pa frikë. Kjo është një barrë që nuk ia heq vetes, sepse është detyra e çdo njeriu që e do të vërtetën, drejtësinë dhe vendin e vet.
Kosova është mbi gjithçka. Jo si një slogan, por si një ndjenjë që na obligon të jemi më të mirë, më të drejtë, më të guximshëm. /2LONLINE/
