Xheladin MJEKU
EDHE PAK DARDANI, EDHE PAK KOSOVË
Merre si ta marrësh, në këtë Kosovë
Në cilin skaj ta prekësh ka pak Dardani
Edhe pak Dardani, edhe pak Kosovë
Në këtë palcë guri, në ashtin prej lashtësie
Mbi masën e syrit e peshën e gurit të vet
Ngriten bedenat e kështjellës – qëndresë stoike
Për një pëllëmbë Kosovë, një ëndërr Dardani
Shekujt u shtynë gjatë tej Alpeve deri në agoni
Mjer toka që thahet për një pikë gjaku
Për një këngë kushtrimi të shtegut të lirisë
Merre si ta marrësh, në këtë Kosovë
Në cilin skaj ta prekësh ka edhe pak Dardani
NË KOPSHTIN E MUZAVE
Përditë shkëpus nga një gem të fjalë-mendimit
Derisa kaloj mespërmes Kopshtit të muzave
Dhe mbëltoj fidan të ri tej radhës tjetër të fjalës
Me mbushet kupa e fjalës me aureolën e gjëllimit
E bjerrakohësit druajnë prej syrit të keq që pëlcet
Ndryshimi mbetet enigmë e pafre gjithandej
Ngarendin vargjet pas muzave e ndjekja makabër
Vizionar i pathyeshëm në gjetjen e imazhit të ri
Derisa mbyllim vetveten në guasën e mendimit
Ia prejmë blenin e mendimit kuptimit të fjalës
Sfidim i ndërgjegjes me nerva të shprishura
Dhe valëzim mendimesh në Kopshtin e muzave
Në rrugëtimin e daljes nga orbita e vetëmohimit
Nga të gjitha polet drejtoj heshtat e vrojtimit
Ta shkund vargun e harlisur në kupën e mendimit
ALKIMIA E HESHTJES
Po bdaren do kohëra në shtjellën e vet
E trungut do t’i vijë rrënja sërish
Për një grusht dhé Piramidë e Keopsit do të shembet
Gjer shtatë pashë nën dhé me gjasë
E do përligjet kulti i durimit
Doemos
Librit të predikuesve të heshtjes
Po i grisen faqet në diell
Për një grusht flori do blihet në ankand publik
Për hiçin e ëndrrës së keqe
Ndofta do të kemi arsyen
Të flasim përçart për bejtet
Dhe të këndojmë ninullat që i lamë përgjysmë
Në emër të arsyes
Vetëm për një grusht ëndrra
Do blihet në ankand publik
Alkimia e heshtjes
…………………………
Shënime për autorin
Xheladin Mjeku u lind më 01.02.1961në Graboc të Epërm të Prishtinës (tash nën juridiksionin kadastral të Komunës së Kastriotit). Pas mbarimit të shkollës së mesme të mjekësisë, ka studiuar në Fakultetin Filologjik-Letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Më shumë se tri dekada merret me krijimtari letrare për të rritur dhe fëmijë. Shkruan edhe kritikë letrare dhe publicistikë. Ka publikuar pothuajse në të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipedhe në shumë web-faqe elektronike. Është prezantuar në disa përmbledhje poetike, antologji, libra me kritikë letrare, publicistikë dhe ese.
Është fitues i disa çmimeve letrare për poezi dhe prozë, ndër të cilat edhe tri çmimet për librat e botuara.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita” dhe i Art Klubit “Rifat Kukaj”.
Ka botuar këto libra:
“Prelud poetik” poezi, në bashkautorësi (1997)
“Nëna e lirisë”, tregime për fëmijë (2012)
“Në kopshtin e muzave”, poezi (2013)
“Pranvera në shtator”, poezi për fëmijë (2015)
“Mëkatet e Orfeut”, poezi (2015)
Jeton dhe krijon në Prishtinë.