Refuzo…
/Fatmir Arifi/
Refuzo…!
Ngrihu me furi kundër molepsjes,
që t`i (ri)forcosh energjitë, teksa kundron vdekjen!
Refuzo të shuhesh!
Vështrimi i zhbërjeve të mëdha mos t’na helmojë, por t’na e ashpërsojë formimin tonë krenar!
Refuzo të shuhesh,
edhe pse je i ç’kethur asaj rruge dhe, ndihesh i sigurt drejt shfarosjes!
Refuzo…,
se bërja e fatit përmes kundërshtimit të tij, është përfundimi prej fitimtari!
Refuzo të shuhesh,
duke t’u vizatuar shpirti yt në kufijtë e formës,
që së jashtmi ka dukje gjeniale, teksa së brendshmi, dergjet i shkërrmoqur!
Refuzo…,
Se askush nuk e kaloi universin në një sitë kaq të hollë si ti;
asnjëherë syri nuk ka qenë më i aftë si organ i kufizimit, e korniza, si simbol i përsosjes!
Refuzo…
dhe ngrihu, thuaj fjalen e fundit;
rreziku per të na rrokullisur në shtegun e sugjestioneve të ërrësirës po na troket…
Refuzo të shuhesh!
Ngrihu, mos e zvogëlo volumin shpirtëror kundrejt patetizmit të plakur që na rri mbi kokë…!
Ngrihu…:
bëje epokën tënde të madhe!