Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, ka thënë se këtë vit Kosova dhe qytetarët e saj do të sfidohen fort. Në një intervistë për “Epokën e re”, Selimi ka deklaruar se numri i njerëzve që janë duke ikur nga Kosova është trishtues.
“Vargu i atyre që ikin nga Kosova është shumë trishtues. Ata njerëz e duan Kosovën dhe kanë ardhur në një situatë që të ikin nga ky vend të cilin e duan fortë. Kjo është e trishtueshme. Unë kam hasur njerëz jo vetëm të papunë që duan të ikin nga Kosova, por kam hasur edhe njerëz që janë të punësuar dhe që duan të ikin nga Kosova. Kam hasur edhe gazetarë të cilët janë të interesuar të ikin nga Kosova”, ka deklaruar Selimi. Në këtë kontekst, Selimi ka thënë se koalicioni PDK – LDK është koalicion i zorit jo për ata që e kanë bërë, por për qytetarët e Kosovës. Ai ka treguar se ky koalicion ka mision të keq për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Selimi ka thënë se misione të koalicionit PDK – LDK janë vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe formimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së. “Koalicioni PDK – LDK nuk ka qëllim qeverisjen. Ky koalicion ka për qëllim atë që është duke e thënë, arritjen e një misioni, pra vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, Gjykatën Speciale kundër UÇK-së dhe shpërbërjen e tij për shkak se ky koalicion i dedikohet vetëm këtij misioni. Dhe ky mision është i keq”, është shprehur Selimi..
Ai ka shtuar se kryeministri Isa Mustafa do t’i mbetet besnik vazhdimësisë së qeverisjes së Hashim Thaçit. “Duket se qeveria e PDK-së III, për shkak se më shumë është e PDK-së sesa e LDK-së, do ta vazhdojë qeverisjen e Thaçit I dhe II. Po duket se do të jetë besnike e vazhdimësisë për nga qasja çfarë e ka pasur. Z. Mustafa duket se do të vazhdojë ta sponsorizojë Gjykatën Speciale, duket se do t’i sponsorizojë marrëveshjet me Serbinë dhe vazhdimin e dialogut. Këto dy gjëra nuk do mend se janë në disfavor të zhvillimit të Kosovës”, ka deklaruar Selimi, per Epoka e Re.