Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka vlerësuar se autoritetet kosovare me arrestimet e pesë drejtuesve të kolegjit “Mehmet Akif” po rreshtohen në anën e regjimit aktual në Turqi që me këmbëngulje po kërkojnë që të arrestohen dhe deportohen në Turqi të gjithë ata që cilësohen si gylenistë.
“Kohë më parë në Prizren ishte arrestuar një shtetas turk i kërkuar si përkrahës i Fetyllah Gylenit, ishte mbajtur në burg për një kohë dhe pas reagimit të KMDLNj-së, organizatave të tjera si dhe presionit të opinionit publik ishte liruar me dorëzani”
KMDLNj thekson në një reagim se edhe atëherë ka kërkuar sikur që kërkon edhe tani që Kosova të mos ndërhyjë në luftën midis Erdoganit dhe Gylenit të mos arrestojë qytetarë turk, përkrahës të Gylenit, të mos mbyllë kolegje që kanë punuar për vite të tëra në Kosovë.
Ky këshill e kundërshton arrestimin e shtetasve turq në Kosovë për shkaqe politike dhe e kundërshton fuqishëm çdo përpjekje për ekstradim në rrethana ekzistuese.
Burimi: Epoka e Re