DYLON

KMDLNJ: Kryetari i Ranillugut, nxitës i urrejtjes

Avatar photo Redaksia

Kryetari i Ranillugut, Gadimir Mikiq ka marrë vendim për emërtimin e një rruge me emrin e Sllobodan Millosheviqit, përgjegjës për katër lufta në hapësirën e ish Jugosllavisë që për pasojë kishin dhjetëra e qindra mijëra civilë të vrarë dhe masakruar, dhjetëra e mijëra të zhdukur, dhjetëra e qindra mijëra femra të dhunuara, zhvendosjen në mënyrë të dhunshme e qindra mijëra dhe miliona personave, dëmet miliona e miliardash euro në ekonomitë familjare dhe publike, qindra mijëra banesa, shtëpi, objekte afariste, objekte fetare, arsimore dhe trashëgimi kulturore të shkatërruar dhe dëme të tjera të pa riparueshme deri më sot.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një kumtese për media thekson se Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) po ushtron presion ndaj komunës së Ranillugut ta anulojë këtë vendim duke deklaruar se nuk do ta lejojnë që në tabelat e rrugës të figurojë një emër i tillë (Sllobodan Millosheviq), në ndërkohë që kryetari i Ranillugut po deklaron se ky vendim është në përputhje me ligjet në fuqi që ua njohin komunave ta bëjnë emërtimin e rrugëve në përputhje me propozimet dhe vendimet e komunave.

Zëvendësministri i MAPL, Bajram Gecaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do ta përpilojë një listë “zezë” emrash të cilët do të ndalohen me ligj për emërtim të rrugëve.

EkoHigjiena

“Nuk është herë e parë që kryetari i Ranillugut e provokon shumicën absolute (shqiptarë), pjesëtarët e pakicave joshqiptare sikur edhe serbët që kanë pranuar të integrohen në institucionet e Kosovës duke nxitur urrejtje ndëretnike dhe duke kontribuar në eskalimin e situatës”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNJ-së, emërtimi i rrugës me emrin Sllobodan Millosheviq është mohim i skajshëm i institucioneve të Kosovës, ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së këtij vendi dhe ofendim i qytetarëve nga taksat e të cilëve paguhet.

“MAPL nuk duhet të përpilojë lista “të zeza” sepse kjo është e rregulluar me ligjet në fuqi dhe çdokush që nxit, shpërndanë apo promovon ide që nxisin urrejtje ndëretnike, fetare, racore etj. bënë vepër penale dhe si i tillë duhet të trajtohet. Kryetari i Ranillugut, në rastin konkret është nxitës i urrejtjes ndëretnike prandaj ndaj tij duhet të hapet procedura hetimore dhe duhet të përballet me ligjin. Veprimi i papërgjegjshëm por i qëllimshëm i kryetarit të Ranillugut përveç se po bënë përpjekje që përmes emërtimit të rrugës me emrin e një krimineli ta rehabilitojë Sllobodan Millosheviqin duke e rikthyer në vendin e krimit, ka për qëllim ta thellojë ndarjen në baza etnike e cila në fund të fundit, më së shumti do t’i dëmtojë pjesëtarët e komunitetit serb. Vet serbët e Ranillugut por edhe të tjerët duhet ta kundërshtojnë këtë çmenduri të shpërthimit dhe arrogancës nacionaliste dhe shoviniste të kryetarit të Ranillugut i cili po identifikohet me të kaluarën kriminale e cila e vështirëson të sotmen e serbëve sikur që e vë në rrezik ardhmërinë e serbëve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ thekson se kryetari i Ranillugut duhet të shkarkohet urgjentisht dhe t’i nënshtrohet procedurës së ballafaqimit me ligjin.

“Për rastin Mikiq nuk është kompetente MAPL por policia dhe gjyqësia e Kosovës. Ndërsa në aspektin emocional dhe të kujtesës historike emërtimi i një rruge në Kosovë me emrin e Sllobodan Millosheviqit apo Gjeneral Drazha Mihajlloviq është e njëjtë sikur që në Izrael të emërtoheshin rrugët me emrat e Adolf Hitlerit apo të Gebelsit. Kjo është e paimagjinueshme për Izraelin por duket se po bëhet dukuri normale në Kosovë!!”, thuhet në kumtesë.