KMDLNj kërkon të ndalen sulmet dhe kërcënimet ndaj KQZ-së

KMDLNj kërkon të ndalen sulmet dhe kërcënimet ndaj KQZ-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar të ndalen sulmet dhe kërcënimet ndaj KQZ-së, anëtarëve të KQZ-së sikur edhe kryetares, Valdete Daka në mënyrë që të mos pengohet puna e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

KMDLNj, gjithashtu kërkon që policia e Kosovës të hetojë të gjitha kërcënimet eventuale ndaj KQZ-së dhe, nëse paraqitet nevoja të sigurojë kushte për punë të papengueshme .

Ky është reagimi i plotë i KMDNJ-së:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ ) është institucioni kryesor dhe autoriteti i vetëm që me Ligj ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, qofshin ato lokale apo të përgjithshme. Në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, KQZ po i nënshtrohet një presioni të palejueshëm e që ndikon në mbarëvajtjen e punës. Presioni është krejtësisht i natyrës politike e që, për qëllim e ka nënshtrimin e KQZ-së ndaj subjekteve të caktuara politike.

Me një vendim krejtësisht politik të Gjykatës Kushtetueses të Kosovës, sepse pati efekte dhe pasoja politike, vendi dhunshëm shkoi në zgjedhje të parakohshme ndonëse Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat ta çojë vendin në zgjedhje.

Po ky vendim, që sipas KMDLNj –së është krejtësisht politik, u sanksionuan me mospjesëmarrje në zgjedhje të përgjithshme 47 kandidatë për faktin se kishin një vendim të formës së prerë për vepra penale, pa u specifikuar natyra e veprave, në 3 vitet e fundit. Nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u prekën thuaja të gjitha subjektet politike në Kosovë, kush më shumë e kush më pak.

Përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me të cilën pamundësohej pjesëmarrja në zgjedhje të gjithë atyre që ishin dënuar, subjektet politike i përfshinë ata kandidatë në lista për zgjedhje duke i renditur, qoftë si bartës të Listës ( LVV ) apo në majat e listave ( AAK ) dhe Nisma gjithnjë duke patur parasysh faktin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakundërshtueshme dhe se nuk ka adresë tjetër ku mund të kërkohet drejtësi përjashtuar Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbur ku Kosova nuk ka qasje. Tërë këtë kaos e ka bërë GJK, me një vendim kontravers që ka krijuar hapësirë të interpretimit sipas interesit politik dhe zbatimit të standardeve të dyfishta me ç’rast pranohet vendimi që vota e Et’hem Arifit të shpallet e pavlefshme e të rrëzohet qeveria Hoti kurse vendimi për ndalim në zgjedhje për 47 kandidatë me precedencë penale, nuk pranohen. Ky është rast tipik i përpjekjes për legalizim të përdorimit të standardeve të dyfishta!

Vendimet e GJK janë të detyrueshme edhe për KQZ-në andaj janë të papranueshme sulmet që i bëhen KQZ-së, së pari për vendimin për verifikimin e votuesve nga diaspora kurse tani pse nuk i certifikon kandidatët që janë subjekt i trajtimit në vendimin e Gjykatës Kushtetuse të Kosovës.

Ta përdorësh këtë si pretekst se KQZ qenka i “’kapur “ është pandershmëri e skajshme aq më parë që në KQZ-ë, përbëhet nga përfaqësues të subjekteve politike, sipas forcës politike të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës sikur edhe nga shoqëria civile.

KMDLNj kërkon të ndalen sulmet dhe kërcënimet ndaj KQZ-së, anëtarëve të KQZ-së sikur edhe kryetares, znj. Valdete Daka në mënyrë që të mos pengohet puna e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

KOMENTE