Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka vlerësuar se KEDS-i i ka fryrë faturat e energjisë elektrike dhe për këtë arsye duhet që të ketë mosbindje qytetare ndaj këtij veprimi diskriminues. KEDS për të keq i befasoi qytetarët e Kosovës në përgjithësi, ndërsa ata të Prishtinës në veçanti me faturimin e shpenzimeve të rrymës për muajin nëntor, të cilat krahasuar me muajin tetor ishin 100% më të shtrenjta e në disa raste edhe më shumë. KMDLNj-së, i janë drejtuar qyte
“KEDS ka filluar zbatimin e tarifave të dimrit për konsumatorë, me ç’rast shpenzimi llogaritet i përshkallëzuar varësisht se sa është shpenzuar kjo rrymë në këtë periudhë. Në fakt, KEDS-i tarifat dimërore do t’i zbatojë për gjashtë muaj gjatë vitit e që paraqet se llogaritjen e kohës e bën sipas kritereve që mundëson fitime marramendëse për këtë kompani dhe dëme serioze, të paarsyeshme dhe jonormale për buxhetin e familjeve, shpenzues të energjisë elektrike në Kosovë”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së, sipas së cilës KMDLNj nuk e ka të qartë dhe se në çfarë mbështetet KEDS kur e llogarit periudhën dimërore në gjashtë muaj dhe pse autoritetet kosovare përkatësisht Zyra e Rregullatorit nuk reagon në mbrojtje të konsumatorit dhe nuk e parandalon këtë veprim arbitrar dhe të dëmshëm të KEDS.
“Edhe ashtu pjesa dërmuese e familjeve kosovare përballen me probleme serioze për sigurimin e mbijetesës dhe ky haraç i KEDS-it do të ndikojë edhe më shumë në përkeqësimin e gjendjes ekonomike duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre. Prandaj, KMDLNj fton autoritetet kosovare që të intervenojnë menjëherë duke e pamundësuar këtë plaçkitje që u bënë KEDS qytetarëve të Kosovës. Në të kundërtën qytetarët duhet të organizohen, mos t’i paguajnë faturat e fryra të energjisë elektrike dhe të demonstrojnë për realizimin e të drejtave të tyre për një furnizim të rregullt me energjinë elektrike me një çmim që është i përballueshëm dhe i cili është në përputhje me mundësitë e tyre materiale. Në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është më i larti në rajon ndërsa standardi jetësor është më i ulëti në rajon”, është bërë me dije në komunikatën e KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së, tarifa dimërore në kohëzgjatje prej gjashtë muajve është skajshmërisht diskriminuese, e papërballueshme për shpenzuesit e vegjël (amvisëri, pensionistët dhe bizneset e vogla) dhe nëse nuk ndryshohet protestat e qytetarëve do të jenë të pashmangshme dhe do të jenë plotësisht të arsyeshme.