Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), po konsideron se Policia e Kosovës nuk është dashur të lejojë aktivitetin politik të Lëvizjes Vetëvendosje, ku pjesmarrësit shkelën rregullat ndaj pandemisë.
KMDLNj thotë se duhet të lejohet puna e gastronomëve dhe organizimi i dasmave.
“Ndonëse numri i të infektuarve nga COVID- 19, pas largimit të masave shtrënguese po shënon rritje, KMDLNj vlerëson se qeveria e Kosovës ka bërë mirë për këto masa aq më parë që thuaja të gjitha vendet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Shumica e bizneseve janë hapur nën kushte të reja në përputhje me situatën e krijuar. Deri më tani ka ndalesë vetëm për gastronomët dhe artistët. Është ndaluar organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare në ndërkohë që lejohen manifestimet politike dhe partiake ku nuk respektohen aspak kriteret e përcaktuara nga institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të lejojë punën e gastronimëve dhe organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive, me praninë e një numri të tifozëve, duke ruajtur distancën.
“KMDLNj konsideron se Policia e Kosovës nuk është dashur të lejojë aktivitetin politik të LVV -së ku dhjetra mijra pjesëmarrës kanë shkelur rregullat sikur që është ruajtja e distancës sociale. Më këtë kontekst, KMDLNj kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, që në kushte të caktuara dhe me marrëveshje të lejojë punën e gastronomëve sikur edhe të lejojë organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive me prananinë e një numri të tifozve , duke ruajtur distancen sociale dhe masat tjera mbrojtëse”, thuhet në reagim.
KMDLNj po i kërkon Qeverisë së Kosovës t’i lejojë këto aktivitete, ose t’i kompensojë humbjet që kanë pasur dhe do t’i kenë në të ardhmen bizneset.
“Qeveria e Kosovës nuk ka tjetër alternativë: ose duhet të lejojë këto aktivitete ose duhet t’i kompensojë të gjitha humbjet që i kanë pasur dhe që do t’i kenë në të ardhmen. E drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet. Lejimi i aktiviteteve politike kundër të gjitha rregullave të sigurisë së shëndetit dhe pengimi i aktiviteteve të gastronomëve , artistëve e vë në pozitë qeverinë si abuzuese e të drejtave të njeriut për shkak të zbatimit të standardeve të dyfishta”, thekson reagimi.
Po ashtu, KMDLNj ka bërë të ditur se o përkrah protestat e gastronomëve dhe artisitëve, duke i quajtur si kërkesa të drejta për punë.
“KMDLNj përkrah protestat e gastronomëve dhe artistëve, si kërkesa të drejta për punë e cila është e drejtë elementare e njeriut. Rregullat dhe ligjet duhet të vlejnë për të gjithë e që në rastin konkret nuk është kështu. Qeveria e Kosovës duhet të tregohet shumë e vëmendshme në trajtimin e këtyre rasteve aq më parë që nuk ka mundësi të kompensojë këto biznese për dëmet e mëdha që u janë shkaktuar”, ka bërë të ditur KMDLNj në reagim.