Brenda një kohe të shkurtër, ZRRE dhe Qeveria e Kosovës miratuan kërkesën e Furnizuesit Publik KEDS me të cilën rritet çmimi i energjisë për 5.18% për qytetarët e Kosovës. “Kërkesa e KEDS ishte se me këtë rritje të çmimit rriten të hyrat e lejuara si dhe mbulohen dëmet e shkaktuara nga shpërthimi që ndodhi më parë e në veçanti sepse do të kontribuonte në stabilizimin me energji elektrike duke importuar nga vendet e tjera në kohën kur në Kosovë ka reduktime të mëdha që ndikojnë edhe te konsumatori individual por edhe te bizneset të cilat dëmtohen shumë. Ky shtrenjtim i energjisë është bërë duke shkelur ligjet dhe rregulloret në fuqi Nenin 3.1 të Ligjit për ZRRE – në, Rregullën për vendosje të çmimeve të furnizuesit publik të energjisë elektrike, Shtojca 5 ( paragrafi 2) etj.
KMDLNj vlerëson se kjo ngritje e radhës e çmimit të energjisë e rrezikon në skajshmëri standardin edhe ashtu të degraduar të konsumatorit kosovar, i rrezikon familjet e sistemuara në kategori sociale, pensionistët, studentët, amvisëritë ( për shkak të reduktimeve ka prishje të shumta të pajisjeve të amvisërisë të cilat rrallë here kompensohen nga KEDS, pas vendimeve të gjykatave) dhe rrezikon bizneset të cilat për shkak të rritjes së energjisë rrisin çmimet e prodhimeve dhe shërbimeve të tyre e që prodhon efekt zingjiror edhe te konsumatorët. Kuvendi i Kosovës e sidomos Qeveria e Kosovës duhet t’i dalin në mbrojtje konsumatorit të varfëruar e jo të ndihmojë në pasurimin e kundërligjshëm të KEDS i cili në rrethana shumë të dyshimta dhe jo transparente, me një çmim nënçmues e bëri privatizimin e rrjetit shpërndarës dhe aseteve tjera që shumëfish e tejkalojnë edhe shumën e ofertuar nga kompania që e fitoi tenderin për privatizim.
Në mungesë të mbrojtjes institucionale të interesit të konsumatorit me ngritje të shpeshta të energjisë dhe e cila nuk ka të ndalur, KMDLNj, duke e kundërshtuar fuqishëm këtë ngritje të kundërligjshme, do të përkrah çdo veprim, nismë, kundërshtim, kërkesë për rishqyrtim, në mbrojtje të konsumatorit siç është rritja e fundit e çmimit të energjisë”, thekson KMDLNj.