Klinika e Dermatovenerologjisë në QKUK ofron shërbime të specializuara diagnostike dhe terapeutike
“Klinika e Dermatovenerologjisë, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdon të ofrojë shërbime të specializuara dermatologjike, venerologjike dhe mykologjike, përfshirë shërbime të avancuara diagnostike dhe terapeutike”, njofton QKUK.
Në kuadër të Klinikës funksionojnë kabinete të specializuara për dermatoskopi, terapi fizikale, dermabrazion dhe Face System, fototerapi, dermatologji intervenuese, si dhe Laboratori Mykologjik.
Përveç shërbimeve ambulatore, Klinika ofron edhe trajtim stacionar për pacientët që kanë nevojë për kujdes spitalor dhe monitorim të vazhdueshëm nga stafi shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Klinikën e Dermatovenerologjisë janë realizuar 84 vizita specialistike, 30 intervenime me krioterapi në Terapinë Fizikale, 6 intervenime me krioterapi në Venerologji dhe 8 ekzaminime me dermatoskop manual, ndërsa 9 pacientë janë hospitalizuar.
Sipas njoftimit të QKUK-së, ndër diagnozat e pacientëve të hospitalizuar janë pemphigus vulgaris, herpes zoster, urticaria, dermatitis bullosa, kerion celsi dhe pyoderma.
“Klinika e Dermatovenerologjisë vijon të ofrojë kujdes profesional dhe të specializuar, me synim diagnostikimin e saktë, trajtimin adekuat dhe ofrimin e kujdesit cilësor shëndetësor për pacientët”, thuhet në fund të njoftimit të QKUK-së. /2LONLINE/
