Klaiqi: DKA pritet të nisë katër procese të rëndësishme për rritjen e cilësisë në arsim
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), në Komunën e Kamenicës, Selami Klaiqi, së bashku me stafin e DKA-së ka mbajtur takim me drejtorët e shkollave, koordinatorët e cilësisë dhe pedagogët, ku është diskutuar për proceset që do të zhvillohen gjatë vitit shkollor 2026/2027.
Gjatë takimit është bërë e ditur se për herë të parë Drejtoria Komunale e Arsimit do të nisë paralelisht katër procese të rëndësishme, të cilat synojnë rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të punës në institucionet arsimore.
Sipas drejtorit Klaiqi këto procese përfshijnë: Vlerësimin e Brendshëm të Shkollave; Vlerësimin e Performancës së Mësimdhënësve; Vlerësimin e Performancës së Drejtorëve të Shkollave; Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve me Bazë në Shkollë.
Drejtori Klaiqi ka thënë se zhvillimi i këtyre proceseve pritet të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, përmes zhvillimit të vazhdueshëm profesional dhe adresimit të nevojave konkrete të shkollave.
“Të gjitha këto procese do të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke synuar forcimin e mekanizmave të vlerësimit, zhvillimin profesional të stafit arsimor dhe rritjen e cilësisë në institucionet arsimore të Komunës së Kamenicës”, ka thënë Selami Klaiqi, drejtor i DKA-së në Kamenicë. /2LONLINE/
