“Në saje të kompetencave të Këshillit Kombëtar Shqiptar, kohëve të fundit iu është drejtuar Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë me kërkesën për angazhimin konkret me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Serbisë, që për nevojat e nxënësve shqiptar në Luginë të Preshevës, të zgjidhin çështjen e teksteve mësimore për shkollat fillore dhe të mesme”, thuhet në njoftimin e KKSH-së, shkruan Titulli.com.
Sipas të njëjtës kumtesë ky veprim është ndërmarrë me vendimet e këshillit, si dhe duke qenë në koordinim të plotë me Ambasadën e Shqipërisë dhe zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.
“Në kuadër të kësaj, gjatë takimit konkret të zhvilluar me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit në Tiranë, kryetari Jonuz Musliu kishte dorëzuar dokumentacionin adekuat lidhur me nevojat për tekste mësimore, duke përfshirë lëndët konkrete dhe sasinë e nevojshme”, citohet në kumtesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar konsideron që arritja e marrëveshjes në parim ndërmjet kryeministrit Rama-Vuçiç në Nish, për sjelljen e teksteve mësimore nga Tirana me standarde angleze, është hap i mirëpritur, dhe në këtë drejtim angazhimi i këshillit, në kuadër të kompetencave të parashikuara, vazhdon të mbetet vendimtar sikur edhe konstruktiv.