KKSB mban mbledhjen e dytë për vitin 2026
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në Komunën e Kamenicës, ka mbajtur mbledhjen e dytë për këtë vit, në të cilën morën pjesë Kryetari i Komunës dhe njëherësh udhëheqësi i KKSB-së, Kadri Rahimaj, koordinatori i KKSB-së, Fisnik Kastrati, komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, si dhe anëtarët e këtij këshilli.
Kryetari Rahimaj hapi mbledhjen duke paraqitur rendin e ditës, i cili përfshinte:
- Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar,
- Siguria në Komunën e Kamenicës, kontrollimi i shpejtësisë së automjeteve dhe gjendja e sinjalizimit rrugor,
- Funksionimi dhe përmirësimi i ndriçimit publik,
- Të ndryshme.
Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj ka hapur mbledhjen e KKSB-së me pikat e rendit të ditës ku ka kërkuar miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar.
Sa i përket pikës së dytë, fjala i është kaluar Drejtorit të DSHPAIE, Zotrim Kastrati i cili ka deklaruar se sinjalizimi do të bëhet javën që vjen, e i cili përfshinë mjaftueshëm shenja të komunikacionit dhe sinjalizim tek zebrat, të cilat do të bëhën me koordinim me policinë.
Komandanti i stacionit policor në Kamenicë Basri Shkodra, ka prezantuar gjendjen momentale të sigurisë në Kamenicë, duke e konsideruar si të qëndrueshme si dhe duke thënë se është bërë edhe angazhimi i policëve shtesë civil, të cilët bëjnë vlerësimin për secilin shqetësim që vjen nga banorët e Kamenicës.
Përfaqësues nga shoqëria civile kanë vlerësuar punën e bërë nga institucionet e sigurisë dhe kanë ndarë edhe shqetësimet e tyre rreth parkingjeve dhe numrin e tyre që janë të destinuara për personat me nevoja të veçanta.
Kryetari Rahimaj ka njoftuar të pranishmit se së shpejti nëpërmjet projekteve të reja, do të rritet numri i vendparkingjeve si dhe në bazë të udhëzuesit do të bëhet edhe ndarja e vendparkingjeve për personat me nevoja të veçanta.
Tek pika të ndryshme, Kryetari Rahimaj ka njoftuar të pranshmit se së shpejti do të ketë dhe një marrëveshje të re me NPL “Dardana”, të cilët nëpërmjet pajisjeve të reja do të kryejnë shërbime edhe në pjesën e ndriçimit publik. /2LONLINE/
