DYLON

KKSB-ja mban mbledhjen e pestë të radhës

KKSB-ja mban mbledhjen e pestë të radhës
Redaksia

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Kamenicës mbajti mbledhjen e pestë të radhës, ku u diskutua për gjendjen e sigurisë në komunë dhe për rastet e dhunës në familje të evidentuara që nga fillimi i vitit 2026.

Në mbledhje morën pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, si dhe anëtarët e tjerë të KKSB-së. Kryetari Rahimaj hapi mbledhjen dhe paraqiti tri pikat e rendit të ditës.

Ekohigjiena

1. Raporti për gjendjen e sigurisë në Komunën e Kamenicës

2. Informata për dhunën në familje në Komunën e Kamenicës nga 1 janari 2026 deri në ditën e mbledhjes

3. Të ndryshme

Anëtarët e pranishëm miratuan njëzëri rendin e ditës dhe procesverbalin e mbledhjes së kaluar.

Gjatë prezantimit të raportit për gjendjen e sigurisë, komandanti Shkodra bëri të ditur se nga fillimi i vitit janë evidentuar 276 vepra penale, një rritje krahasuar me vitin e kaluar. Sipas tij, shkalla e zbulimit të këtyre veprave ishte rreth 83 për qind. Ai tha se gjatë kësaj periudhe nuk është shënuar asnjë rast vrasjeje dhe foli edhe për punën e policisë në luftën kundër narkotikëve. Gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunë e vlerësoi si të qëndrueshme.

Në diskutimin për dhunën në familje, drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS), Rifat Hajdari, tha se numri i rasteve është rritur krahasuar me vitin e kaluar dhe se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur raste me pasoja tragjike. Ai theksoi se stafi i QPS-së i ka trajtuar me profesionalizëm dhe përpikëri të gjitha rastet që janë hetuar.

Udhëheqësja për shërbime sociale, Kimete Kryeziu, bëri të ditur se nga fillimi i vitit QPS-ja ka trajtuar 51 viktima të dhunës që kanë kërkuar ndihmë, prej të cilave 33 të gjinisë femërore dhe 18 të gjinisë mashkullore. Ajo tha se numri i rasteve është rritur ndjeshëm gjatë tre vjetëve të fundit. Kryeziu theksoi nevojën për staf shtesë për trajtimin e rasteve dhe propozoi ndarjen e një fondi emergjent për mbështetjen e viktimave.

Kryetari Rahimaj shprehu gatishmërinë e Komunës për t’i mbështetur viktimat e dhunës në familje dhe kërkoi që QPS-ja t’i dorëzojë kërkesat e saj me shkrim dhe në mënyrë të detajuar, për të lehtësuar bashkërendimin ndërmjet institucioneve.

Në pikën “Të ndryshme” nuk u ngritën çështje të tjera. Në përmbyllje të mbledhjes u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Kamenicës. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.