DYLON

KKSB: Incidenti në Pasjan nuk ka prapavijë ndëretnike

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i komunës së Gjilanit, e ka shqyrtuar të enjten, në një takim të jashtëzakonshëm, rastin në fshatin Pasjan, i cili ka ndodhur para tri ditësh, ku një incidet të rastësishëm, janë përfshirë tre persona të komuniteteve të ndryshme.

KKSB konstatoi se incidenti nuk kishte prapavijë ndëretnike, siç kishin tentuar ta paraqesin disa media jashtë Kosovës. Njëherësh, KKSB i dha mbështetje Policisë së Kosovës, e cila reagoi shpejt në zbardhjen e rrethanave dhe nuk lejoi që situata të përshkallëzojë për shkak të këtij rasti.

EkoHigjiena

Njëherësh, KKSB kërkoi nga qytetarët e të gjitha nacionaliteteve që të angazhohen për avancimin e mëtutjeshëm të raporteve të mira ndëretnike e ndërfetare që ekzistojnë në këtë komunë.

Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, tha se informata e policisë tregon qartë se rasti nuk ka motive etnike dhe nuk duhet të tentohet nga askush që të përdoret për qëllime të tilla, kur dihet se kjo komunë shquhet për tolerancë ndëretnike dhe ndërfetare.

Një informatë më të hollësishme rreth këtij rasti, që ka ndodhur më 4 maj, e ka dhënë zëvendëskomandati i policisë rajonale, nënkoloneli Shaban Azizi, i cili ka thënë se në këtë incident janë përfshirë dy persona, përkatësisht tre, në tentim e sipër për të tejkaluar me veturat e tyre, në të njëjtën kohë, një traktor që ka qenë duke lëvizur para tyre.

Azizi tha se ka pasur tendenca që rastit t`i jepet karakter tjetër, por policia ka reaguar me kohë dhe ka ofruar informatën e saktë për atë që ka ndodhur në Pasjan, ku janë përfshirë Ismail Cana nga fshati Llashticë, i cili është arrestuar si i dyshuar dhe Zoran Kostiq nga Pasjani, si viktimë, i cili gjatë kacafytjes ka marrë lëndime në krah dhe këmbë nga një mjet i fortë.

Zëvendëskomandanti i policisë tha se gjatë kacafytjes, lëndime ka marrë edhe i dyshuari Ismail Cana, ndërsa vetura e tij është e dëmtuar.

Në lidhje me këtë rast, policia ka arrestuar të nesërmen edhe personin e dytë dhe ndaj tyre është bërë kallëzim për “vrasje në tentativë“, ka thënë Azizi.

KKSB përkrahu informatën e policisë dhe inkurajoi atë që edhe në të ardhmen të jetë efikase sikur në këtë rast. /2L ONLINE/