/2L ONLINE/ – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) është njoftuar të enjten për sigurinë e përgjithshme në komunën e Gjilanit dhe ka konstatuar se gjendja vazhdon të jetë mjaft e mirë. Togeri policor Feriz Abazi ka thënë se krimi ka shënuar rënie, kurse zbulimi i veprave të kryera penale, është në rritje. Sivjet nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes në Gjilan, ka thënë ai.
Gjatë këtij katërmujori, janë evidentuar 524 raste dhe në 300 prej tyre janë zbuluar personat e dyshuar, ndërkohë që hetuesit janë duke punuar për t`i ndriçuar edhe rastet tjera, ka thënë ai.
Meritat për këtë gjendje stabile në Gjilan, Abazi i ka adresuar te policia dhe qytetarët, duke nënvizuar bashkëpunimin e mirë edhe me këshillat lokalë.
Ai ka folur edhe për ligjëratat e ndryshme që policia është duke i mbajtur nëpër shkolla, që kanë për qëllim mbrojtjen e të rinjve nga dukuria e ekstremizmit dhe fenomenet tjera të dëmshme.
Abazi ka kërkuar nga autoritetet arsimore që të ndalojnë parakalimet e maturantëve nëpër qytet, sepse kjo është një praktikë e kaluar, që nuk bëhet në asnjë qytet tjetër të Kosovës, për shkak se pengon lëvizjen e lirë dhe reflekton në gjendjen e sigurisë.
Puna e policisë së Kosovës, është përshëndetur edhe nga prifti Dragan Kojiq, anëtar i KKSB, i cili ka thënë se shëtit rrugëve të qytetit me uniformë fetare, por asnjëherë nuk ndodh që për këtë arsye ta provokojë dikush nga qytetarët.
Kojiq kërkoi patrullime më të shpeshta të policisë në zonat ku ndodhen objektet e kultit, pas thyerjes së kishës në Cërnicë, duke mos paragjykuar motivet për të cilat është kryer vjedhja.
Naim Aliu, kryetar i KBI në Gjilan, ka thënë se këto raste nuk duhet të problematizohen, sepse vjedhësit kanë qëllimin e tyre dhe nuk shikojnë nëse hyjnë në kishë apo xhami.
Duke përmendur raste të vjedhjeve nëpër xhami, ai ka sugjeruar që rastet e tilla të trajtohen me policinë dhe të mos bëhen çështje diskutimi në KKSB, i cili duhet të merret me gjera më të rëndësishme.
Përndryshe, Aliu ka kërkuar që KKSB të përkrah kërkesën e tyre për ndarjen e një lokacioni te ish-Higjiena, për nevoja të ndërtimit të një institucioni arsimor, edukativ, sportiv dhe fetar.
Njëherësh, Aliu ka kërkuar nga policia një koordinim më të mirë me KBI-në gjatë muajit të Ramazanit, për të parandaluar çdo eksces të mundshëm gjatë këtij muaji, kur lëvizjet e besimtarëve drejt xhamive janë më të mëdha.
Shqipe Kastrati – Haziri nga Drejtoria e Arsimit, ka thënë se është kërkuar prej drejtorëve të shkollave të mos ketë parakalime të maturantëve nëpër qytet, por ata të orientohen drejt e në lokalet ku mbahet mbrëmja.
Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, ka thënë se tani që jemi para mbrëmjeve të maturës, pushimeve verore dhe ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje, kërkohet syçeltësi më e madhe e policisë dhe mekanizmave tjerë të sigurisë, për të mos lejuar prishjen e rendit dhe të qetësisë publike.
Ai ka përshëndetur reagimin me kohë të Komunës, në meremetimin e rrugëve, gjë që nuk kishte ndodhur viteve të kaluara, për çka ka pasur ankesa nga mërgimtarët.
Rexhepi ka apeluar te policia që të shtojë praninë e saj në disa pika në qytet, ku frekuentimi është më i madh e sidomos te udhëkryqet dhe semaforët, për të mos lejuar bllokimin e komunikacionit.
Ndryshe, ai ka thënë se KKSB dënon sulmet në çdo objekt fetar, pavarësisht se rastet e tilla, siç e thanë vetë hoxha dhe prifti, nuk kanë prapavijë etnike dhe as fetare, por kanë qëllime përfitimi.
KKSB i ka rekomanduar Kuvendit Komual emërimin e dy anëtarëve të rinj, Linda Salihun (barazia gjinore) dhe Naim Bllaca (komuniteti protestant), ndërkohë që e ka lënë në dorë të komunitetit rom të përcaktohet për përfaqësuesin e vetë, pas vdekjes së Galip Hisenit.
Edhe komuniteti serb kërkoi zëvendësimin e një përfaqësuesi të tij në KKSB, meqë ai që është emëruar më herët, nuk ka treguar interesim për të marrë pjesë në takime.
Këtij debati i kanë kontribuar edhe Fatmir Hoxha, Ramadan Kurteshi, Nuri Selmani, Tomisllav Naskoviq, Kemal Shahin, Milivoje Zhivkoviq dhe të tjerë. /2L ONLINE/