Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Viti, ka mbajtur sot, mbledhjen e pestë të rregullt, në të cilën ka diskutuar për gjendjen e sigurisë në Komunën e Vitisë.
Gjatë këtij takimi u bë me dije se gjendja e sigurisë në këtë komunë është e qetë dhe stabile. Megjithatë anëtarët e këtij këshilli paraqitën edhe shqetësimet dhe rekomandimet që kanë të bëjnë me sigurinë në këtë komunë.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu gjatë këtij takimi tha se Komuna e Vitisë, ka bërë përpjekje maksimale për të inkorporuar sugjerimet e dhëna nga anëtarët e këtij këshillit të marra nga mbledhjet e kaluara.
Ndër to ai përmendi që gjatë sezonës verore janë shtuar kapacitetet në Brigadën e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit dhe në sektorin e Gjendjes Civile. Aliu bëri me dije se kjo komunë po bënë përpjekje të inkorporoj edhe sugjerimet e tjera të cilat janë në kompetencë të kësaj komune.
Kurse Agim Lipovica, Komandant i Stacionit Policor në Viti, gjithashtu bëri me dije se gjendja e sigurisë në këtë komunë është e qetë dhe stabile dhe paraqiti disa të dhëna.
Ndër to veçoi se rastet e aksidenteve në trafik në komunën e Vitisë kanë shënuar rënie për 50% dhe atë duke bërë një krahasim me përudhen e njëjtë të vitit paraprak.
Ai shtoi se Policia e Kosovës në Viti, ka qenë e angazhuar në implementimin e planeve të ndryshme operative dhe kërkoj që qytetarët të bashkëpunojnë me policinë e Kosovës në Viti.
Kurse gjatë këtij takimi anëtarët e tjerë paraqitën shqetësimet e tyre të sigurisë e ndër to përmendën: qenët endacak, deponitë ilegale të mbeturinave, puset e hapura nga fermerët, rrjetet e rrymës elektrike në shtylla.
Kurse si rekomandim gjatë këtij takimi doli që të rritet bashkëpunimi i qytetarëve me policinë në parandalimin e shitjes së substancave narkotike si dhe të definohet prona e Xhamisë në qytetin e Vitisë.