Këshilli për Siguri në Bashkësi (KKSB),ka mbajtur sot mbledhje të rregullt. Në fillim të këtij takimi kryetari i Komunës së Vitisë,Sokol Haliti i ka njoftuar ata mbi gjendjen e pandemisë në këtë komunë, konkretisht mbi menaxhimin e situatës, personave të infektuar, shëruar apo të vdekur nga virusi COVID-19.
Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, tha se gjatë kësaj kohe gjendja e sigurisë në këtë komunë ka qenë e qetë dhe stabile. Ai tha se ka ulje të theksuar të rasteve të kriminalitetit, vjedhjeve por që edhe gjendja në trafik ka qenë më e mirë dhe atë duke e bazuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.
Gjithashtu në këtë takim disa anëtarë të këtij këshilli kanë ngritur çështjen e rikthimit të nxënësve në bankat shkollore.
Me këtë rast Drejtori i DKA-së, Basri Aliu tha se akoma nuk ka vendim përfundimtar për këtë nga MASHT-i.
Ndërkaq disa rekomandime janë dhënë edhe nga antarët: Imri Emerllahu, Adnan Zenuni, Bujar Ostrogallava si dhe Avdyl Misini i cili tha se Këshilli i Prindërve të nxënësve është për rikthimin e nxënësve në bankat shkollore por me mjete mbrojtëse kundër përhapjes së virusit COVID-19. /2LONLINE.com/