DYLON

KKSB: Gjendja e sigurisë në komunën e Vitisë e kënaqshme dhe stabile

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Është mbajtur mbledhja e rregullt e gjashta me radhë e këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, në të cilën është debatuar për situatën e sigurisë, si dhe janë paraqitur edhe shqetësime që kanë të bëjnë me qytetarët.

Fillimisht kryesuesi I këtij takimi zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, ka përshëndetur punën e policisë së Kosovës, respektivisht të stacionit policor në Viti për punën që po e bëjnë në ruajtjen e rendit dhe ligjit, ndërkohë që është shprehur i kënaqur me raportin 9 mujor të punës së këtij stacioni i cili paraqet situatën e përgjithshme të sigurisë në komunën e Vitisë në nivel.

EkoHigjiena

Ndërsa zv. komandanti policisë në Viti toger Fatos Latifi, pasi ka prezantuar statistikat mujore të rasteve të raportuara në polici, ka theksuar se bashkëpunimi me qytetar është në nivel dhe se ata raportojnë për rastet e ndryshme. Si rast më të veçantë gjatë këtij muaji, togeri Latifi ka përmendur atë në Tërpezë të vrasjes së një të miture, për të cilin rast tha se mjekësia ligjore ka konstatuar se është vrasje aksidentale e cila ka ndodhur nga I vëllai i saj nga pakujdesia.

Në këtë takim, kanë paraqitur problem edhe anëtarët tjerë të KKSB-së që kanë të bëjnë me uzurpimin e pronës publike, shënjimin e vijave në rrugët e asfaltuara Viti-Gërlicë dhe Ferizaj-Gjilan, po ashtu shënjimin e vijave për këmbësorë në Pozheran etj.

Për shqetësimet e paraqitura nga anëtarët e KKSB-së, zv.kryetari i komunës Hasan Aliu tha se institucionet komunale do të jenë në vazhdimësi në funksion të respektimit të ligjit dhe të merren hapa të duhur në aspektin e ruajtjes së pronës publike, kurse ka premtuar se do të shqyrtohen edhe kërkesat tjera siç është ajo e vijave në rrugë dhe e pengesave nëpër lokalitete që të mënjanohen, pasi që është kërkesë e banorëve të disa lokaliteteve.

Si përfundim i këtij takimi, KKSB në Viti doli me rekomandimet që të ndërmerren hapa për lirimin e trotuareve në Pozheran dhe në Viti, të shqyrtohet mundësia e bartjes së nxënësve të shkollave të mesme deri në afërsi të shkollave në mënyrë që të eliminohen rrëmujat që po krijohen në trafik, si dhe të shqyrtohet mundësia e largimit të pengesave nëpër rrugën të lokaliteteve që është edhe kërkesë e banorëve të shumë fshatrave./2L ONLINE/