DYLON

KKSB: Gjendja e mirë e sigurisë është meritë e kulturës qytetare në rend të parë

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka adresuar merita te qytetarët për gjendjen e qetë të sigurisë, e cila mbretëron në Gjilan, në takimin e së martës, të cilin e ka kryesuar Halit Rexhepi. Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, majori Remzi Azemi, ka thënë se situata momentale e sigurisë është jashtëzakonisht e mirë dhe nuk ka tendenca përkeqësimi. Duke nënvizuar rëndësinë që ka bashkëpunimi me qytetarët, ai ka thënë se shoqëria civile dhe qytetarët, gjithmonë duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve.

Sa i përket vitit 2015, për brengosje ka qenë numri i vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda, ku janë përfshirë persona nën moshën 14-vjeçare, që krahasur me një vit më herët, është rritur për 200 për qind, përkatësisht nga 51 raste (2014) në 145 raste (2015).

EkoHigjiena

Azemi i ka prezantuar edhe objektivat e policisë për këtë vit.

Për të rritur sigurinë në shkolla, jo se gejndja atje është shqetësuese, policia ka hartuar një plan operativ që parasheh shtimin e pranisë në këto hapësira, ku do të punohet në identifikimin e problemeve dhe pastaj identifikimin edhe të personave, ka thënë ai.

Po ashtu pjesë e planit operativ është edhe parandalimi i aksidenteve rrugore, vendosja e kamerave si dhe masa të tjera, të cilat ndikojnë në rritjen e sigurisë së përgjithshme, ka thënë Azemi.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në interesimet e anëtarëve të KKSB, Shqipe Kastrati, Ramadan Kurteshi, Drita Klaiqi, Ali Arifi, Dragan Kojiq, Kemal Shahin dhe të tjerëve, Azemi ka thënë se Gjilani ka numër të mjaftueshëm të policëve, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, ka thënë se ky mekanizëm i sigurisë, të gjitha rekomandimet e veta i përcjellë te kryetari i Komunës dhe organet tjera komunale, siç është edhe kërkesa për vendosjen e kamerave, e cila duhet të kalojë nëpër procedurat e prokurimit, për t`u realizuar.

Rexhepi ka thënë se gjendja e mirë e sigurisë, nuk duhet të krijojë vetëkënaqësi te askush, sepse në rrethanat e krizës socio-ekonomike në vend dhe tensioneve politike në nivel qendror, gjendja mund të ndryshojë.

Njëherësh, në këtë takim, KKSB i ka dhënë përkrahje kërkesës së Shërbimit të Zjarrfikësve për sigurimin e pajisjeve, të cilat janë të nevojshme për intervenime në rast të fatkeqësive të komunikacionit.

KKSB po ashtu ka miratuar edhe planin e punës për vitin 2016, ndërkaq plotësimin e kësaj trupe me një anëtar nga komuniteti rom, pas vdekjes së Galip Hysenit, e ka shtyrë për takimin e radhës, meqë Zyra për Komunitete dhe Kthim nuk e ka dërguar propozimin. /2L ONLINE/