(2LONLINE) – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur të mërkurën takimin e parë në përbërje të re, e cila zgjat po aq sa edhe mandati i anëtarëve të Kuvendit Komunal.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se Këshilli për Siguri në Bashkësi është një organ komunal me rëndësinë dhe peshën të rëndësishme në segmentin e sigurisë në bashkësi dhe natyrisht që do të mundohemi jo vetëm që t`i përmbaheni kalendarit të punës, por edhe t`i shtojmë takimet, për të funksionalizuar sa më mirë detyrën dhe misionin që ka ky këshill.
Haziri tha se drejtori i Emergjencave do ta ketë detyrën e koordinatorit të KKSB-së në emër të kryetarit të Komunës, i cili sipas ligjit, është kryesues i këtij organi, në mënyrë që aktiviteti të koordinohet sa më mirë.
Për më tepër kryetari Lutfi Haziri tha se nga java e kaluar ka themeluar edhe një organ të mesëm koordinues, ku hyn edhe policia, kryesuesja e Kuvendit dhe anëtarë të tjerë, sipas funksionit që kanë, në mënyrë që të koordinohemi sa më mirë në të gjitha llojet e aktiviteteve që i kemi të përshkruar me ligj dhe duhet t`i ushtrojmë në baza ditore.
Halit Rexhepi, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë detyrë e KKSB-së është që të punojë në ngritjen e vetëdijesimit të qytetarëve në raport me krimet dhe çështjet e sigurisë, identifikimi i brengave të tyre në lidhje me sigurinë publike dhe adresimi i atyre brengave te autoritetet përgjegjëse, ndërtimi i besimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e përgjithshme në bashkësi, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se në takimin e radhës, KKSB do të përgatis edhe planin e veprimit.
Sa i përket sigurisë, ai ka thënë se Gjilani është ndër komunat më të qeta në Kosovë, pavarësisht se shtrihet në kufi me dy shtete fqinje dhe mund të jetë e atakuar më shumë nga dukuritë negative.
Edhe nga aspekti policor, Gjilani vlerësohet si komunë stabile. Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, kapiteni Remzi Azemi, ka thënë se sa i përket tre mujorit të parë të këtij viti, situata e sigurisë, është në nivel të kënaqshëm, si në qytet, ashtu edhe në fshatra.
“Në këtë periudhë nuk është regjistruar asnjë vepër ose incident të rëndë që do të kishte ndikuar në sigurinë e përgjithshme”, ka thënë Azemi.
Ndryshe, ai ka prezantuar edhe objektivat e Stacionit të Policisë në Gjilan për këtë vit, që kanë të bëjnë me sigurinë e përgjithshme, të cilat bazohen në strategjitë “policia në bashkësi dhe “policia e udhëhequr nga inteligjenca”.
Objektiv yni është parandalimi dhe rritja e zbulueshmërisë së veprave penale, tha Azemi, ndërkohë që në pika të shkurta i ka përshkruar edhe veprimet e ndërmarra nga policia gjatë tre muajve të deritashëm, duke nënvizuar se realizimi i planeve operative ka dhënë rezultate të kënaqshme.
Këtij takimi të parë të KKSB i kanë kontribuar me diskutime edhe përfaqësuesi i FSK-së, kapiteni Bashkim Hamdiu, përfaqësuesja e Drejtorisë së Arsimit, Shqipe Kastrati-Haziri si dhe Drita Klaiqi, zyrtare për Barazi Gjinore. /2lonline/