KKSB dhe departamenti për siguri mbajnë mbledhje për zbatim të strategjisë kundër terrorizmit
/2L ONLINE / – Në Komunën e Gjilanit sot është mbajtur një takim për siguri, ku pjesëmarrës pos anëtarëve të KKSB-së ishin edhe nënkryetari i Komunës dhe përfaqësues të departamentit për siguri, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ku është biseduar për zbatimin e strategjisë për siguri dhe parandalim të terrorizmit.
Me këtë rast në fjalën e tij, nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, ka thënë se falë bashkëpunimit me institucionet e sigurisë së shtetit, institucioneve të bashkësive fetare, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi, gjendja e sigurisë në Gjilan është e qetë dhe pa raste kriminale, që kanë epilog vrasjen apo aktet tjera kriminale ndëretnike apo ndërfetare.
“Për më shumë se dy vjet në Gjilan nuk ka ndodhur asnjë vrasje për akte kriminale me karakter ndëretnik apo ndërfetar. Gjilani ka shënuar hapa pozitiv edhe sa i përket aspektit të parandalimit të rasteve të individëve që udhëtojnë drejtë vatrave të krizave të luftës siq është pjesëmarrja në luftë në Siri apo Irak. Bashkëpunimi i Komunës me të gjithë akterët e sigurisë së shtetit, organeve të drejtësisë, bashkësive fetare, shoqërinë civile apo akterëve të tjerë, kanë bërë të mundshme që Gjilani të ketë këtë nivel të sigurisë”, tha nënkryetari Kadriu, duke paralajmëruar edhe aktivitete të shumta në funksion të tolerancës, bashkjetesës dhe sigurisë së përgjithshme publike.
Ndërsa, Remzi Azemi, komandant i Stacionit të Policisë së Kosovës në Gjilan, ka thënë se gjendja e sigurisë është e qetë dhe përditë e më shumë Gjilani po dëshmohet se është qytet i qetësisë dhe model i jetës së lirë për të gjithë qytetarët.
“Gjilani për këtë periudhë kohore është qytet model në aspektin e sigurisë. Problem mbetet angazhimi i madh, për parandalimin e të rinjëve dhe të rejave për pjesëmarrje në luftëra si në Siri dhe Irak. Në gjashtë muajtë e fundit është arritur që falë angazhimeve të përbashkëta të mos e kemi asnjë rast të vetëm të udhëtimit drejtë këtyre shteteve për pjesëmarrje në luftëra. Ndërsa, në një takim të përbashkët që kishim këtyre ditëve me kryetarin e Komunës së Gjilanit dhe me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, është propozuar që Gjilani të jetë Komuna model për zbatimin e pilot projektit për siguri, në mënyrë që më pas model i tillë të jetë edhe për Komunat tjera të Republikës së Kosovës”, ka thënë Azemi ndër të tjerash.
Kurse në prezantimin e tyre përfaqësuesit nga departamenti për siguri, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, kanë thënë se strategjia për siguri dhe parandalim të terrorizmit, së bashku edhe me planin e veprimit për zbatim të saj, përfshinë në vete një numër të madh të institucioneve lokale, qendrore, fetare dhe të tjera, për të krijuar një vend të sigurtë dhe pa probleme të sigurisë. /2L ONLINE/
