/2L ONLINE/ – Komiteti për Kulturë, Rini e Sport (KKRS), të premten ka miratuar raportin e punës për vitin 2015, planin për vitin 2016 si dhe është informuar për mbarëvajtjen e manifestimit “Flaka e Janarit 2016” dhe për përgatitjet për shënimin e 17 shkurtit – ditës së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Shpresa Kurteshi, kryesuese e KKRS, ka thënë se gjatë vitit të kaluar janë mbajtur 7 mbledhje dhe janë bërë 9 rekomandime për Kuvend Komunal, duke nënvizuar se Komiteti është takuar sipas kërkesave që i kanë arritur nga sektorët e rinisë, kulturës dhe sportit.
Ndërkaq, sa i përket këtij viti, ajo ka thënë se janë planifikuar 12 takime dhe është zotuar se kjo agjendë e punës do të respektohet.
Bashkim Nexhipi, koordinator për Kulturë, ka thënë se në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2016”, që ka filluar më 11 janar, tani është duke u zhvilluar festivali i filmit, i cili është mirëpritur nga qytetarët.
“Flaka…” do të vazhdojë deri më 31 janar, me programin e saj të rregullt, që pos katër shtyllave të përhershme, sivjet është begatuar edhe me “Film-Flakën” dhe “Foto-Flakën”.
Arzie Nuhiu (PDK), ka kërkuar sqarime nga koordinatori komunal për Kulturë, për arsyet e ndërrimit të logos së manifestimit, me të cilën “Flaka…” identifikohet prej 15 vitesh.
Nexhipi ka thënë se ndryshimi i logos është bërë nga Bordi, përmes disa procedurave dhe është shprehur i bindur se logoja e re është më e mirë, sepse simbolizon flakën, festivalin dhe manifestimin në përgjithësi.
Nexhipi tha se ka pasur edhe propozime tjera për logo të manifestimit, por kjo është vlerësuar më domethënësja.
Shpresa Hajdari (LDK), ka thënë se ndryshimi i logos është dashur të bëhet përmes një debati gjithëpërfshirës të njerëzve të kuturës dhe atyre që kanë qenë pjesë e manifestimit “Flaka e Janarit” prej themelimit të tij, para 27 vitesh.
Kurse Arzie Nuhiu (PDK) ka thënë se Bordi i manifestimit është dashur ta respektojë vazhdimësinë dhe origjinalitetin e “Flakës…”, që tashmë është bërë një identitet kulturor i Gjilanit.
Shpresa Kurteshi ka thënë se “Flaka…” duhet ta ruaj identitetin e saj, por edhe ka nevojë që të begatohet në pikëpamje programore, duke shtuar se festivali i filmit e ka madhështuar këtë manifestim tradicional.
Sa i përket logos, ajo ka thënë se nuk sheh asgjë të keqe pse është ndryshuar, por sipas saj, ndoshta është më mirë sikur të bëhet një kombimin mes logos së vjetër dhe kësaj të resë.
Ndërkaq, sa i përket 17 shkurtit, Nexhipi tha se ende nuk është detajuar programi, por tani për tani dihet se do të ketë një shfaqje si dhe do të mbahet një koncert i ansambleve të zgjedhura./2L ONLINE/