Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH), në Viti, ka mbajtur sot mbledhjen e parë të rregullt ku është diskutuar për gjendjen e pandemisë të shkaktuar nga virusi COVID-19.
U bë me dije se në Komunën e Vitisë janë gjithsej 24 raste aktive të qytetarëve të prekur nga ky virus.
Gjatë këtij takimi, kryetari i Komunë së Vitisë, Sokol Haliti, i cili edhe kryeson këtë komitet, ka falënderuar të gjithë organizatat, shoqatat, bashkësitë dhe të gjithë donatorët pa dallime të cilët vitin e shkuar kanë ndihmuar këtë komunë në sigurimin e pakove ushqimore dhe higjienike për qytetarët në nevojë.
Ai gjithashtu ka uruar që viti 2021 të ecë mbarë dhe të kenë sa më pak raste që qytetarëve të prekur nga ky virus.
Ndërkaq Afrim Halili, Komandant I Stacionit Policor në Viti, ka folur për punën e policisë për vitin e shkuar dhe angazhimet që kanë pasur.
Ai ka folur edhe për gjendjen e sigurisë gjatë vitit 2020 duke e cilësuar si të mirë përveç rastit të fundit që ka ndodhur në Pozheran ku gjetën vdekjen katër persona.
Komandanti Halili ka theksuar se gjatë vitit 2020 Policia në Viti ka qenë e angazhuar edhe në çështjet e pandemisë dhe respektimit të masave mbrojtëse konformë ligjeve në fuqi.
Ndërkaq në këtë takim për punët që ndërlidhën me menaxhimin e gjendjes së pandemisë kanë folur edhe drejtorët Hanife Jonuzi, Basri Aliu, Skënder Ahmeti, Ajet Sallahu etj. Në këtë takim përfaqësuesit e komunës së Vitisë, kanë falënderuar shoqatën “Vitia” me seli në Zvicër dhe Hipermarketin “Emi Center” në Viti për sigurimin e pakove ushqimore në prag të vitit të ri.
Pas këtij takimi është mbajtur edhe takimi I Këshillit të drejtoreve, ku është diskutuar për hartimin e raporteve për vitin e shkuar dhe planeve për këtë vit. /2LONLINE.com/