/2L ONLINE/ – Për dy vjet radhazi Ministria e Bujqësisë ka shpallur Grante të veçanta për komunat e interesuar që të investojnë në sistemin e ujitjes së tokave bujqësore, komuna e Gjilanit nuk ka bërë fare përpjekje që të përfitoj nga këto mundësi.
Kështu është shprehur Sahit Abazi, Shef i grupit të këshilltarëve Komunal të PDK-së, në Gjilan, sipas të cilit Kosova sipas studimeve të ekspertëve ndërkombëtar dhe vendas, ka vetëm tri mundësi për zhvillim ekonomik: Energjinë, minierat dhe Bujqësinë. Sigurisht që në secilin sektorë ka përparime por ende pa plane të sakta dhe disi anemike.
“Të lokalizojmë studimet ndërkombëtare dhe vendase për zhvillimin ekonomik në Gjilan dhe Anen e Moraves përgjithësisht, do të shohim që si Rajon potenciale për Energji dhe Miniera fatkeqësisht nuk kemi, na mbetet vetëm zhvillimi i Bujqësisë. Nuk do të thellohem në analizë për të treguar më shumë për Bujqësinë sepse kjo u takon profesionistëve te kësaj fushe, por kërkesa ime ka të beje me efektet ekonomike e sociale të një segmenti tashmë të domosdoshëm për të rritur prodhimtarinë bujqësore “Sistemin e Ujitjes së Tokave Bujqësore”.
Sipas Sahitit, paramendojeni që komuna dukshëm më të vogla se Gjilani si Rahoveci, Vushtrria e Gjakova kanë filluar të investojnë në ndërtimin e sistemeve të ujitjes së tokave bujqësore, kurse në Gjilan kjo temë është e vdekur.
“Agroekonomia është shpëtimi i Anamoravës dhe Gjilanit në veçanti, ne kemi njerëz të zotë punëtor të mrekullueshëm të tokave të cilët po të kenë mbështetje serioze të shtetit janë të gatshëm së pari të rrisin sipërfaqet prodhuese, numrin e punëtorëve dhe sigurisht mirëqenien e përbashkët. Zona si ajo e Përpelnicës, Zhegrës, Bresalcit, Kravaricës e Livoçit janë të mrekullueshme për të prodhuar gati të gjitha kulturat bujqësore. Jemi të sigurt që duke ndërtuar sistemin e ujitjes se tokave disa mijëra njerëz do të zgjidhnin problemin e punësimit, por kjo së pari do studim fizibiliteti apo arsyeshmërie, të cilën do ta shtyjmë në Kuvendin e Komunës së Gjilanit, e pastaj edhe në institucionet qendrore të shtetit”,, ak thënë Abazi.
Sipas tij, kjo çështje e ngritur është në vazhdën e aktiviteteve të PDK-së të cilat do të pasohen edhe me plote aktivitete tjera deri në realizimin e këtij qëllimi. /2L ONLINE/