DYLON

Kjo është dita më e shënuar e historisë së Kosovës

Avatar photo Redaksia

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në 8 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në fjalën e saj ka thënë se Kjo është dita më e shënuar e historisë së Kosovës, që përmbledh sakrificën, mençurinë e përkushtimin për ta jetësuar idealin e gjeneratave të tëra për një shtet.

Më poshtë është fjalimi i Jahjagës për 8 vjetorin e pavarësisë:

EkoHigjiena

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e parakalimit të FSK-së për nder të tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës

I nderuar Kryeministër Mustafa,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në shtetin tonë,
Të nderuara familje të Dëshmorëve,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kjo është dita më e shënuar e historisë së Kosovës, që përmbledh sakrificën, mençurinë e përkushtimin për ta jetësuar idealin e gjeneratave të tëra për një shtet.

Kjo është dita e Kosovës – dita kur kremtojmë lirinë, një lindje të re për qytetarët e shtetit të ngritur mbi themelin e barazisë.

Kosova është dhimbja dhe krenaria jonë, është amaneti i gjeneratave të tëra që i kujtojmë me respekt e krenari të thellë, sepse kanë sakrifikuar për këtë ditë të sotme, të nisur me dekada të tëra.

Tetë vjet që prej shpalljes së pavarësisë ne përkujtojmë idealet që na bëjnë bashkë, përkushtimin për lirinë dhe për zhvillimin e vendit tonë, për demokracinë që ndërtohet çdo ditë dhe njëkohësisht edhe për paqen.

Prandaj, janë parime që na përkufizojnë neve si komb, vlera që krijojmë çdo ditë bazuar në themelet e diversitetit edhe kulturor, fetar dhe etnik dhe aspirata që synojmë t’i realizojmë për të qenë pjesë e pandashme e botës së përparuar.

Kosova është një realitet i pakthyeshëm; një paqe e fituar pas një lufte të gjatë e të rëndë; një liri për të cilën është sakrifikuar; një miqësi e përjetshme me SHBA-në që kanë qëndruar kaq pranë nesh në secilin kapitull të shtetndërtimit tonë. Kosova është vlera e shtuar e stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajon, një forcë e pazëvendësueshme e fqinjësisë, garantuese e paqes për të gjithë, që hap rrugën e integrimeve.

Megjithatë, Kosova sot është një demokraci ende e papërfunduar dhe e sfiduar, në një kohë kur na duhet më shumë forcë për të tejkaluar dallimet dhe më shumë guxim për t’u përballur me dëshpërimin.

Shtet ndërtimi kërkon vullnet, dashuri dhe fuqi,edhe shpirtërore. Ai kërkon punë më të madhe për të dëshmuar se ligji dhe rendi janë themeli i shtetit tonë,ku secili jemi të barabartë përpara drejtësisë dhe njëkohësisht kërkon më shumë kurajë për ta mbyllur kulturën e mosndëshkimit për të gjithë ata që janë fajtorë për gjendjen e rëndë në shoqëri, me qëllim të ndërtimit të një të ardhmeje më ndryshe.

Sot është ditë feste për të gjithë qytetarët e Kosovës. Festë e shtetit në secilin cep të tij,festë e të gjithëve që e shohin si atdheun dhe tokën e tyre, festë e secilit që jeton brenda kufijve të tij dhe atyre që e ndjejnë si shter të tyre,kudo qofshin.

Sot është festë për ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që keni përmbledhur me sukses prej shumë muajsh punën tuaj në ndërtimin e një force të re mbrojtëse e që po prisni, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e tjerë, ta realizoni ëndrrën tuaj. Forca e Armatosur e Kosovës është e ardhmja e juaj, e ardhmja jonë e përbashkët, e ardhmja e shtetit të Kosovës!

Ne kemi dëshmuar se Kosovën mund bëjmë pjesë të pandashme të arkitekturës globale të sigurisë, duke e rreshtuar përkrah botës demokratike, në ruajtje të vlerave themelore të lirisë dhe të demokracisë.

Sot është festë për Kosovën, kur secili prej nesh e ndjejmë se e ardhmja duhet të jetë më ndryshe, kur na duhet më shumë punë për të treguar se të tashmen e ndryshojmë vet, por jo me dhunë dhe me forcë. Jo me fuqinë e grushtit që sjell dhimbje dhe rrënim, që sfidon institucionet e shtetit, besimin në të cilat e kemi luhatur. Jo me mohimin e asaj që kemi ndërtuar deri sot, dhe assesi me testimin e partneritetit tonë me faktorin ndërkombëtar.

Sot është festë dhe festat zakonisht bëjnë bashkë që të gjithë; në një dialog që zëvendëson moskomunikimin dhe keqkuptimet, që ndryshon botëkuptimin dhe që mban gjallë kulturën e marrëveshjeve.

Është koha për të harruar mëritë, për të tejkaluar dallimet dhe tani është koha e ndërtimit që varet nga vetë ne.

Ne nuk jemi njerëz që i frikësohemi të ardhmes, por e krijojmë atë dhe në këtë tetëvjetor na duhet të bëhemi sërish bashkë, për ta shkruar një kapitull të ri të shtetit: të bazuar mbi dijeni, zhvillim e përparim, me njerëz të aftë për ta bërë Kosovën pjesë të pandashme të botës demokratike.

Historinë do ta shkruajmë sërish – të forcuar me pjekurinë e të sotmes dhe të gatshëm për të ardhmen më të mirë.

Bashkëqytetarë, urime tetëvjetori i pavarësisë!
Gëzuar!