Kirurgu Kushtrim Qerimi ligjëron në SHFMU “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë
Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë të Gjilanit është mbajtur një ligjëratë vetëdijësuese nga kirurgu gjilanas Kushtrim Qerimi, i cili ka lënë karrierën në Gjermani për t’u kthyer dhe për të kontribuar në Kosovë.
Drejtori i shkollës, Zaim Zymeri, tha se ishte kënaqësi dhe nder i veçantë për institucionin që të mirëpresë një profesionist të tillë, i cili ndau me nxënësit një ligjëratë frymëzuese.
Sipas tij, përmes përvojës profesionale dhe jetësore, Qerimi përcolli mesazhe të rëndësishme mbi përkushtimin, punën e palodhshme dhe rolin kyç të arsimimit në arritjen e suksesit. Zymeri vlerësoi lart edhe vendimin e kirurgut për t’u rikthyer në vendlindje, duke e cilësuar atë si një shembull të fuqishëm për brezat e rinj.
Gjatë aktivitetit, nxënësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me ligjëruesin, të parashtrojnë pyetje dhe të marrin këshilla të vlefshme për rrugëtimin e tyre të ardhshëm profesional.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe kohën e ndarë, shkolla i ndau Qerimit një mirënjohje dhe një pikturë të punuar nga vetë nxënësit, si simbol falënderimi për motivimin dhe inspirimin që ai u ofroi. /2LONLINE/
