Kina, me shkopinj autoktonë e me pirunë për të huajt (2)
Me shkas vizitën time trijavore në Kinë
/2L ONLINE/ – Hera e parë që e ndjeja në brendësi se si ishte përjetimi kur ushtarët e NATO’s mirëpriteshin aq zemërgjerësisht në Kosovë fill pas ndërhyrjes së tyre tokësore dhe të gjithë i përshëndesnin në rrugë: “Hello, hello!”! Ishin pra këto momente vizitash në disa qytete të Kinës, kur banorët lokalë të përshëndesnin me shumë dashuri, kërkonin të bënin fotografi orë e çast dhe të dhuronin shumë mikpritje me buzëqeshje e gjestikulacione të tjera! Nuk mungonin edhe sytë e atyre që të shikonin herë me habi, herë me indiferencë, e herë me mospërfillje, por ishin vetëm një pakicë shumë e rrallë!
Aty në Azi, pra në Kinë, ndiheshit qind për qind evropianë, amerikanë, perëndimorë, sepse ashtu të përceptonin kur për herë të parë të përshëndesnin me shprehjen “Hello”! Por kjo ndjenjë për identitetin evropian a perëndimor nuk vinte kur ishim në ca vende evropiane! Mund ta them nga përvoja dhe studimet e vazhdueshme në sociologji e psikologji, se ka shumë paradokse dhe kompleksitete në fushën e identitetit (kurrë nuk mund të përkufizohet identiteti pa kontekst dhe krahasime), dhe aq më shumë këtë e kuptoni kur ndërroni sidomos dy kontinente e dy civilizime të mëdha: Evropë dhe Azi! Në Azi ndiheshit tërësisht evropianë, amerikanë, perëndimorë, ndërsa në Evropë, ndiheshit më shumë aziatikë, myslimanë, ballkanas, orientalë a lindorë!
Pra, ky ishte dallimi në perceptimet e vendasve kinezë dhe evropianë: përderisa në Kinë perceptoheshim si oksidentalë, në vendet evropiane më shumë shiheshim si orientalë! Në Kinë teksa na shihnin njeri me lëkurë të bardhë, më i gjatë në shtatin e trupit se shumica e popullatës, menjëherë na asocionim me njeriun evropian, amerikan, perëndimor, apo nuk e di si ta them, por antropologjia fizike kishte efektet e veta në perceptimin e vendasve ndaj jush si i huaj! Po ashtu, për Kosovën, nuk kishin ndonjë informacion, me përjashtim të një kinezi i cili më përmendi sulmet e NATO’s në ambasadën kineze në Kosovë gjatë luftës së fundit dhe se si ishte zemëruar popullata me këtë ngjarje atëbotë! Bile edhe e përmirësova pak, duke i thënë se ishte sulmuar ambasada jo në Kosovë, por në kryeqytetin e Serbisë, shtetin fqinj! Vend shumë i vogël dhe i largët jemi, por neve na shkon mendja se krejt bota i dinë të gjitha për neve, e nuk e dijnë as ku gjindemi në hartë!!! Bile ka qenë interesante kur edhe disa individë që takoja në Gjermani, më pyesnin: “A gjindet Kosova në Rusi?!” Unë habitesha me ta qysh nuk e dinin, ndërsa për kinezët, nuk habitesha aspak, sepse ishin shumë larg nesh!
KINA ME SHKOPINJ E PIRUNË NË TRYEZË
Në shumë restorante, sapo të sillnin shkopinjët për të ngrënë, ndodhte që të sillnin edhe pirunë dhe lugë për të huajt sikur ishim ne. Ishin mësuar tashmë me të huajt se hasnin në vështirësitë fillestare të ngrënies me dy shkopinjët e njohur aziatik, pa pirunë e lugë të formës sonë prej bakri a alumini, apo qofshin edhe prej drurit a plastikës, por në formën tonë të njohur tashmë për ngrënie. Si në ushqim, si në arkitekturë, metaforikisht mund të thuhej se Kina kishte adaptuar si mjete, forma, modele, ide, sjellje kulturore perëndimore (pirunët e lugët), por në masën më të madhe e kishte ruajtur traditën e vet, autenticitetin (dy shkopinjët), apo rropatej në mes njërës e tjetrës, duke i kombinuar dyja stilet. Në një fushë të jetës urbane, ajo ishte bërë tërësisht perëndimore apo amerikane, sikur ishin ndërtesat me dhjetra e deri në qindra kate, me rrokaqiejt e disa disenje urash, që i ngjasonin objekteve të Nju Jorkut e gjetiu, pa mohuar edhe kopjet e Dubait e qyteteve me prestigj global, pa dallim Orienti a Oksidenti. Bile aq shumë dukej moderne me ato forma të rrokaqiejve e stilit të ndërtimit të banesave, sakaq në plan të parë, dukej sikur ishte avulluar një traditë mijëravjeçare kineze. Të vinte ndonjëherë edhe keq kur shihnit në disa qytete, se të gjitha ishin ndërtime të reja, sikur të fillonte Kina qe dy dekada, e jo me mijëravjeçarët e saj! Por përsëri nuk dëshpëroheshit, sepse kishin ruajtur objekte e shtëpi të tilla tradicionale, monumente kulturore, tempuj fetarë, duke u rikthyer përsëri në atë kënaqësinë sikur t’i shihnim direkt sërish si të rritur, filmat me arte marciale të kinematografisë kineze.
Pastaj kishte edhe qytete të njohura vetëm për të vjetrën, të lashtën, antikën, mesjetën, madje edhe me objektet e vjetra të 150 vjetëve të fundit! Pra, në Kinë, nëse e kërkonit të lashtën, e gjenit. Nëse shkonit në antikë, e gjenit te Muri i Madh Kinez, ndërtimi i së cilës kishte vazhduar edhe gjer në mesjetën e fundit! Nëse e kërkonit antikën, e gjenit edhe në koleksionin e ushtarëve të Dinastisë Qin në Xi’an të provincës Shaanxi! Nëse e donit modernitetin, e shihnit në shumicën e qyteteve të vogla e të mëdha, rrokaqiej e rrokaqiej, pambarueshëm! Por edhe habia tjetër ishte në atë që njihen si “qytetet e zbrazëta”! Kishte aq shumë komplekse banesash deri në qindra katesh dhe shihnit shumë pak kalimtarë duke ecur përreth tyre! Kishte shumë banesa krejt të zbrazëta, pa banorë fare! Kjo ishte edhe një shenjë leximi se moderniteti aq i shpejtë i dy dekadave të fundit, nuk e kishte gjetur të përgatitur një civilizim aq të lashtë e të mrekullueshëm dhe një popullatë aq të madhe në numër, t’i përshtaten këtyre dinamikave ndërtuese e modernizuese në jetën urbane! Pastaj vinte në pah: fuqia blerëse jo e konsoliduar, pabarazia e madhe në të ardhura të popullatës, varfëria e shtrirë shumë në vende-vende, ndonëse me zhvillime të pabesueshme të kohëve të fundit në përgjithësi!
Në qytetin e shtëpisë së operës së projektuar nga Zaha Hadid
Ndonjëherë të shkonte mendja se nuk paska Kinë tradicionale, por krejt e re, e filluar dhe e ndërtuar që nga fillimi në këto dy dekadat e fundit! Të dukej se gjithçka i është nënshtruar ndërtesave moderne dhe objektet tradicionale ose kishin mbetur nën hijen e dinosaurëve të sapongritur, ose objektet tradicionale kishin shpëtuar ku kishin mundur, por që e kishin humbur garën me rrokaqiejt gjigantë. Ndoshta e vetmja mundësi për ta parë atë Kinën e vjetër, të lashtë, antike, tradicionale, etj., ishin disa provinca të caktuara si Shaanxi, ku është ‘mrekullia e tetë botërore’! Përndryshe, Kina dukej se ishte bërë krejtësisht e re, bashkëkohore dhe ka fituar ndaj “Kinës së vjetër”! Ndodhte ta shihnit një seri objektesh që preknin qiellin dhe menjëherë afër ishin ca objekte të ruajtura tradicionale në arkitekturë, por dukeshin sikur të zëna ‘nën fundi’! Sidoqoftë, aq e madhe është Kina, sakaq mos e kërkoni të vjetrën e tradicionalen, në qytetet e mëdha sakaq kërkone në disa provinca e qytete jo aq të njohura për publikun e gjerë!
Në Kinë mund të gjeni gjithçka, por ju duhet shumë kohë, sepse kur vendosnim të iknim për shembull, nga Shangai në Guangzhou, me tren të shpejtë mund të shkonit në një drejtim për 7 orë, sepse tejkalonte rreth 1500 kilometra, e që i binte të shkonit nga Kosova në disa vende evropiane, po aq larg! Vend i madh me mbi 600 qytete, me dhjetra provinca e rajone autonome! Nuk mund ta vizitoni Kinën nëse nuk merrni qëndrim për kohë shumë të gjatë! Madje as Gjermaninë nuk mund ta vizitoni nëse nuk keni kohë shumë të gjatë për të qëndruar atje, sepse është shtet sikur të ishin 16 shtete të njëmendëta, e jo sikur i mendojmë si një! Sëkëndejmi, po dalim në pikën tonë të rrokaqiejve në Kinë. Nuk ka vend që ka më shumë rrokaqiej sesa në Kinë. Kjo vjen kryesisht prej popullatës numër një në botë dhe nevojës për ekonomizim të tokës dhe hapësirave banuese, por edhe për shkak të zhvillimit të hovshëm afarist, banesor e ndërtimor të dy dekadave të fundit. Kinezët janë mësuar tashmë me ndërtesa gjigante.
Në shumë qytete të mëdha si Shangaj, Guangzhou, Shenzhen, Suxhou, etj., ka ndërtesa të mëdha me qindra kate, sakaq kjo nuk është vetëm në zonat e qendrës që shërbejnë për atraksione turistike a ‘selfie’, por në shumicën e lagjeve. Ndërtesat e larta qindrakatshe nuk ndalen thuajse në shumicën e pjesëve të qendrës a periferisë së qyteteve, e madje edhe në fshatra; në qytete më të vogla, apo më të mëdha. Në qytetet e famshme të Kinës, një pjesë prej të cilave tashmë janë bërë qytete metropole a globale, në zonat e qendrës së qytetit, ka edhe kulla gjigante dhjetra e deri në qindra metërshe, ku turistët e huaj apo vetë kinezët, i kanë bërë destinacione shumë të dëshiruara argëtuese, tërheqëse dhe që sjellin edhe shumë të ardhura financiare (me mijëra kilometra larg shijes së ‘sahat kullave tona të vdekura!’). Bie fjala, kulla e njohur “Canton tower” në Guangzhou nga arkitektët dhe dizajnerët holandezë, Mark Hemel dhe Barbara Kuit, me gjatësi rreth 600 metra, e hapur në vitin 2010 (pesë vite ndërtim) pranë lumit Zhujiang, në një prej pesë qyteteve më të mëdha të Kinës, është e njohur me joshjen e aq shumë turistëve për t’u ngjitur në maje të kullës apo deri afër saj, përmes ashensorëve apo teleferikut në formë kabine aeroplani, duke u mbushur kati i lartë me turistë, të cilët fotografoheshin, shihnin të magjepsur tërë qytetin e madhërishëm të Guangzhout, lumin, urën e famshme harkore, qindra ndërtesa moderne dhe arkitekturë marramendëse projektuese.
Aty në Guangzhou është edhe objekti i shtëpisë së operës së projektuar nga arkitektja botërore, Zaha Hadid, e cila vdiq para pak ditësh! Gjatë natës, ndriçimi çmendë secilin prej vizitorëve a banorëve lokalë. Duket qytet i ëndërrave të pabesueshme! Shumë çifte të reja vijnë edhe bëjnë fotografi pranë kullës e objekteve të tilla si e Hadid-it, bëjnë ‘selfie’ dhe mbesin me kujtime të pashlyeshme gjatë gjithë jetës nën sfondin e një qyteti sikur nëpër filma të njohur hollivudianë. Bileta për ngjitje në kullë kushtonte rreth 20 euro, në vlerë monetare evropiane, ndërsa me atë kineze 140 juan kinez. Në katin e lartë prej nga bëheshin fotografitë, kishte edhe shumë suvenire a dekore të kullës, harta, pano, etj., të cilat mund të bliheshin si kujtime personale të ngjitjes në këtë kullë të mrekullueshme me ngjyra të larmishme a dhurata për dikë që donim ta nderojmë. Aty mund të bëheshin edhe foto profesionale, në kënde më të ngushta xhamash ku shihej më për së afërmi krejt Guangzhou – ky qytet që nuk ta beson syri se e ka bërë dora e njeriut! Në katet përdhesë kur zbritnim nga ashensori, kishte shumë shitore të orendive të tjera historike të kullës, apo gjërash të tjera tradicionale të kulturës kineze.
Një gjë tjetër që të bie në sy mbetet një hapësirë ku mund të fotografoheshit me Mr. Bean-in anglez, Barak Obamën, presidentin Putin, etj., në kukulla sikur të ishin të gjalla. Nëse e kishit biletën e ngjitjes në majën e kullës, ju duhet të shtonit vetëm edhe 10 RMB (juan kinez) dhe të bënit fotografi me njërin nga këto personazhe globale. Aty të kujtohej se sa e gabuar ishte ideja e paraqitur në shumë medie se asgjë amerikane nuk mund të dukej në Kinën e mbyllur autoritariste a komuniste. Fotografitë e Obamës, familjes së tij, i kemi parë në murale dhe fotografi të objekteve në qendër të një qyteti po ashtu shumë të zhvilluar, Nantong, shumë afër Shangajit. Po në të njëjtin qytet, në muzen e artit të qëndisjes tradicionale kineze, e pamë edhe një fotografi të Bill Clinton-it me Hillary Clinton-in, kur ishin në Shangaj para disa vitesh, fotografi kjo e varur në muret e këtij muzeut tradicional. Pra, kjo kullë është multifunksionale, duke përfshirë TV dhe radio-transmetimet, observatorin, restorante, ekspozita, kinema 4D, salla konferencash, dyqane, etj. Në shumë qytete, do të gjeni kulla me lartësi për ngjitje në qiej!
Në përgjithësi, në infrastrukturë Kina ishte modernizuar tejmase, me rrokaqiej, autostrada, ura, hekurudha, dhe arkitektura tradicionale në zonat qendrore të qyteteve ishte humbur krejtësisht forcën për t’u parë nga larg! Dhe kjo tregon edhe për vetë rrugëtimin e Kinës: me zhvillime marramendëse e të hovshme, por që për dallim nga Perëndimi, akoma nuk ka arritur t’i mbulon krejt këto zhvillime në secilën pjesë të vendit! Mirëpo, nëse e marrim kriter popullatën dhe territorin e madh, atëherë jo vetëm se është e ngjashme në dukje infrastrukturore, por edhe e tejkaluar atë! Por dobësia mbetej në disa vende imitimi i plotë i dizajneve dhe modeleve arkitektonike perëndimore, por pa harruar edhe kreativitetin e tyre origjinal në shumë fusha, për të cilat një ditë do të jetë edhe ajo frymëzuese për t’u imituar nga të tjerët! Pra, civilizimi kinez kishte tejkaluar fazën e imitimit dhe tash ishte edhe në fazën e kreativitetit, dhënies së modelit për të tjerët! Por kjo faza e dytë akoma ishte duke u konsoliduar dhe ishte kogjo shpresëdhënëse!
(vazhdon)
Kosova Sot, 9 prill 2016
