/Me shkas vizitën time trijavore në Kinë (1)/
Pyetjet e para që m’i bënin njerëzit që i njiha në Kosovë, apo me të saponjoftuarit në ndonjë tavolinë të përbashkët me ta, lidhur me Kinën, ishin: “A ishin tepër lirë senet, qysh jemi mësuar këtu “mall i lirë kinez” apo me tregtarët kinezë “gjithçka 1 euro”?”; “A ishin shumë të varfër, të prapambetur dhe të pazhvilluar, vend si Koreja Veriore?!”; “A e pave murin kinez?”; “A i pave shaollinat?”; “A e vizitove varrin e Bruce Lee-së?”, “A e takove Jackie Chan-in?”, “A e kishin kinezkat shumë të ngushtë?!”; “Kur dilshit në qytet, a shihnit shumë njerëz në rrugë se janë mbi 1 miliard?!”; “A ishin kinezët shumë të shkurtër?!”; “Qysh shkove, me organizim a qysh?!”, “Po vizën qysh e more allahile?”, etj. Për dikë që sheh sot Kinën, mahnitet me rrokaqiejt e pambaruar ndokund, me trotuaret, parqet, liqenet, urat, trenat e shpejtë dhe hekurudhat jo vetëm në tokë por edhe mbi urat në lartësi marramendëse; me rrugët e gjera me nga katër e pesë korsi ngado (e jo vetëm jashtë qyteteve), jetë sportive me motoçikleta dhe biçikleta të panumërta, e me vallëzime e ushtrime në masë (kolektive) herët në mëngjes apo pas darke (zakonisht pas orës 18:00), me prani minimale të policisë me uniforma, me lule të mrekullueshme dhe lloj-lloj ngjyre ngado, me pemë të rregulluara dhe të mirëmbajtura, me tempuj madhështorë nëpër maje malesh, me kuzhinë të pasur që nuk kanë fund emrat e specialiteteve të ndryshme, me njerëz kuriozë kur të shihnin si të huaj dhe me shumë prej tyre që ndaleshin dhe kërkonin të fotografoheshin me ty si vizitor i huaj (takova shumë njerëz të dashur e mikpritës) etj.
KINA E NJEH KOSOVARIN, POR JO KOSOVËN
Kina nuk e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, por jo edhe faktikisht kosovarin! Me pasaporta të Kosovës, pashë tre tregtarë kosovarë që në sportelët e parë të aeroportit të Shangait, sikurse edhe unë, t’ia jepnin pasaportën e Kosovës dhe bashkë me të, edhe vizën e ndihmuar ndërmjetësisht nga konsullata kineze në Prishtinë dhe përmes saj nga ambasada kineze në Beograd! Njëri nga punonjësit shqiptarë të konsullatës më pati thënë se, “ishte hera e parë që dikush e dëshironte në dhjetvjeçarin e punës së tij, një vizë kineze edhe për vizitë turistike nga Kosova”! Kjo më drejtpërsëdrejti, thoshte ai, “kishte zakonisht viza tregtare (biznesi) nga kosovarët për në Kinë, e jo për vizita turistike”!
“Ka qenë edhe një tjetër nga Ferizaji më duket, por as ai rast nuk ka qenë rast vizite turistike, por vizitë familjare, pasi bashkëshorti i punonte në Kinë dhe ajo kërkonte vizitë familjare. Në Serbi është ndryshe. Atje shumë të rinj e të rritur, organizohen në grupe dhe bëjnë vizita të shpeshta turistike-kulturore për në Kinë!” – më thoshte ai.
Mendja ma ndërlidhte se kjo bëhej për shkak të rrethanave të mira dhe miqësore diplomatike ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës Popullore Kineze, por edhe për një arsye shtesë ekonomike: kishte bileta udhëtimi dyfish më të lira nga Beogradi sesa nga aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë! Nëse kërkonit biletë online në destinacionin Beograd-Moskë-Shangaj, ju gjenit tiketa aeroplani prej 450 eurosh, biletë kthyese, ndërsa çmimi i zakonshëm për biletë kthyese nga Prishtina në Shangaj, ka qenë në vlerë rreth 900 eurosh. Natyrisht sikur gjithmonë që varet edhe nga koha e rezervimit dhe periudhat e vitit, ofertat e ndryshme, etj., por në destinacionin Prishtinë-Stamboll-Shangaj, bileta zakonisht ishte rreth 900 eurosh! Pra, dyfish më lirë nga Beogradi sesa nga Prishtina! Ndonëse me disa marrëveshje të Brukselit mund të udhëtonit me pasaportë të Kosovës edhe përmes aeroportit të Beogradit, frika për ndonjë barrierë potenciale administrative a kufitare, etj., duke shkelur në dy shtete që fare nuk e kanë njohur Kosovën, si Serbia dhe Rusia, nuk të motivonte aq për të marrë rrugën e për të shkur andejpari! Sidoqoftë, problemet politike i kushtojnë gjithmonë qytetarit dhe sa herë njeriu udhëton jashtë vendit, shton dëshirën për të qenë pjesë e një shteti që i jep krenari dhe e çliron nga secila pengesë kur paraqitet në aeroportet e botës! Ja një shembull edhe më konkret me shkas vizitën në Kinë. Sapo mbërritëm në aeroportin e Shangait, njërit nga ne, zyrtari kinez u habit duke ia vënë stemën në faqen e pastër të pasaportës së Kosovës! Menjëherë sapo u mor vesh ky gabim, sepse ishte hera e parë që u “njoh gabimisht” shteti i Kosovës, u rregullua sërish, duke u konsultuar zyrtari i thjeshtë me menaxherin në zyren tjetër më kryesore! Ne u ulëm përskaj zyres dhe shihnim duke u dëgjuar konsultat në mes zyrtarëve kinezë të aeroportit. Në përgjithësi, askush nuk të pyeste se sa para keni, ku do të shkoni, etj., dhe procedurat ishin super të njerëzishme, por për ne si kosovarë, ku nuk e dinin shumë prej zyrtarëve në aeroport as ku ekzistonte Kosova, pasi figuronte si pjesë e Republikës së Serbisë, pasi mbushnim një formular sikur e mbushnin edhe të huajt e tjerë (emri, mbiemri, numri i pasaportës, i tiketës së udhëtimit, etj.), na fotografonin shkrrap shpejt e shpejt posa drejtonim kokën kah aparati në sportel, megjithëse na uronin mirëseardhje me buzëqeshje, ose “Ni hau” (“Tungjatjeta!”, e ngjashme me “Hello/Hallo”)! Sidoqoftë, në sytë e zyrtarëve kinezë vërehej nga largësia zgjimi i kureshtjes dhe të qenit shumë interesante teksa e shihnin emrin “Kosovë”, pasi që i tingëllonte emër vendi super i rrallë dhe super specifik, por megjithatë, ndiheni më ndryshe menjëherë në procedurë si kosovar, në shumë vende që shkoni, qoftë edhe në vende të afërta evropiane dhe jeni me vizë! Vizat për në Kinë, pasi që nuk njihet Kosova nga ky shtet dhe civilizim i madh, nuk bëheshin mbi faqet e pasaportës, por ngjiteshin në pasaportë me një kapëse, e cila as nuk e ngjiste vizën, as nuk e linte të lirë sa për të rënë ndokund përtoke e të humbte, por që e përforconte mbajtjen aty të shtrënguar dhe të varur sikur rrobat në vigë!
NDRYSHIMI I PARË KULTUROR – UJË TË NXEHTË E JO TË FTOHTË
Na është duk se të kërkosh të pish ujë, e tërë bota e ka një version. Por Kina ma ndryshoi këtë bindje. Sa herë kërkoja ujë në shtëpinë e mikut tim kinez, në kafeteri, në restorant, në zyre të punës së mikut pronar, ujin e sillnin të nxehtë. Tamam sikur të pinit qaj të nxehtë. Uji ishte i vluar. Kinezët thonin se ishte e panjohur për ta të pinin ujë të ftohtë sikur pimë shumica prej nesh në kulturat prej nga vijmë. Habia tjetër ishte kur kafen që e përgatisnin për ne si evropianë, apo të huaj, nuk e vlonin fare ujin. Ndoshta kjo vinte nga një keqkuptim: duke e kuptuar se ne kërkonim ujë të ftohtë për ta pirë kur kishim etje, e ndërlidhnin ujin me ftohjen, prandaj sa herë i hedhnin një a dy lugë kafe në gotë për të përgatitur kafen, ujin zakonisht e hedhnin të ftohtë, ose vetëm e bënin të vakët tepër pak. Kjo ishte përvojë me një kulturë krejtësisht tjetër rreth pirjes së llojit të ujit gjatë etjes. Kinezët thonin se pirja e ujit të nxehtë është e shëndetshme për stomak e lukth, prandaj ata sipas tyre, kishin më pak probleme në sistemin e tretjes e barkqitjes se vendet ku njerëzit pinë ujin e ftohtë për reduktimin a shuarjen e etjes. E pyes se si ia bëjnë gjatë verës, përgjigja ishte e njëjtë: “Ujë të nxehtë!” “Verë, dimër, ujë të nxehtë. Në acar apo vapë, ujë të vluar sikur të vlohet qaji!” – shtoi miku kinez.
Kjo ishtë bërë traditë moti kohë dhe hynte në ato lloj arketipet e trashëguara, e që brezi i tanishëm nuk e jepte origjinën dhe arsyet e saj, pasi që i vetmi arsyetim ishte “se kështu e kishin bërë gjithmonë paraardhësit e tyre dhe kështu vazhdonin ta bënin edhe këta”! Shpjegimi i parë që mund të vinte ishte se ndoshta historia e destilimit dhe ujit të pastër nuk ishte krejtësisht e qartë dhe e lehtë, dhe uji i vluar do të ishte një siguri shtesë për ta pirë qoftë edhe “ujin e ndotur”, apo ujin jo aq të pastër! Por historia përsëri na përgënjeshtronte me një gjë: para mbi 2200 vitesh më parë, dinastia Qin kishte zhvilluar kujdes specifik ndaj gypave të ujit dhe kanalizimit. Më ka rastisur të merrja pjesë në ekspozitën e parë në Bern të Zvicrës, në Muzeun e Ajshtajnit, kur për herë të parë jepeshin për publikun zviceran, artefaktet dhe monumentet e ‘tarakotëve’, apo ushtarëve të dinastisë Qin, të cilët ishin gjetur në provincën Shaanxi, vendi aq i rëndësishëm historik Xi’an dhe në mesin e shumë gjësendeve të asaj perandorie, ishte ekspozuar edhe një tubacion i gjatë dhe i madh që kishte shërbyer që në atë kohë për kanalizim! Pra, nuk mund të thuhet me saktësi të plotë se kjo traditë e pijes së ujit të nxehtë vinte vetëm për arsye të vlimit të ujit jo aq të pastër! Ndoshta nga tradita e zhvilluar e mjekësisë tradicionale, kishin mësuar leksione se me mjekësi do të ishte më e shëndetshme të pihej uji i vluar, sesa uji i ftohtë! Jo rastësisht nuk shihnit aq shumë barnatore në Kinë sikur në shumë vende të tjera; mjekësia tradicionale atje mbetet shumë e zhvilluar; shtoja këtu edhe numrin aq të madh të banorëve, pasi që përdornin shumë barnishte dhe qaja natyralë, kundër sëmundjeve të ndryshme dhe mbështetur edhe në tradita të zhvilluara të masazhës, përdorimit të bimëve natyrale, artet marciale si Kung Fu, etj. Këto vlenin për shumë provinca në të cilat na ka rënë t’i vizitonim! Por kjo s’do të thoshte se nuk kishte ujë të ftohtë të paketuar në shishe plastie apo qelçi kur donit të blenit apo të porositnit!
KINA ME DYER TË HAPURA E ME DRITARE TË MBYLLURA
Përjashtoni mbizotërimin e një partie politike si Partia Komuniste, pra jo pluraliste, ca qasje të kufizuara në internet, intolerancë për kritikë ndaj qeverisjes autoritariste, Kina dukej në gjithçka e hapur, super-moderne, e tejzhvilluar në infrastrukturë (autostrada, hekurudha, ura, gjerësish rrugësh, trotuare, parqe, liqej), me tregti të lirë, e frekuentuar nga shumë tregtarë indianë, pakistanezë, shqiptarë, etj! Në dy dekadat e fundit, Kina ishte shndërruar në një gjigant, me disa pjesë që herë barazoheshin me kryeqytetet perëndimore, e herë edhe tejkalonin disa nga to! Për ne që ishim mësuar të jemi 24 orë në ‘facebook’, të hapnim email-adresat në ‘gmail.com’, apo të kërkonim lajme në adresarë të ndryshëm duke përdorur makinën e kërkimit universal ‘google.com’, ishte në fillim pakëz vështirë, por adaptoheshit shpejtë me këto kufizime në qasje në Kinë! Edhe ‘viber’ herë funksiononte, e herë jo, por kryesisht mjaft dobët. “WhatsApp”, “Skype”, etj., ishin krejt në rregull, qoftë për dërgim fotografish apo për të bashkëbiseduar me njerëzit e kontaktlistës sonë. Të gjitha këto ishin të ndaluara në Kinë, por jo krejtësisht! Për shembull, në kompanitë që kishin tregtarë evropianë, ‘facebook’, ‘viber’, etj., ishin shumë të rëndësishme për kontakte dhe për shkëmbime informatash në tregti, prandaj kishin ndërruar IP-adresat apo me manovrime të ligjësive kompjuterike, dhe kishin hapur ‘facebook’-un e motorë të tjerë kërkimesh. Pra, nuk vlente pohimi i përgjithshëm se “në Kinë nuk hapet kurrë facebook e të tilla mediash sociale”, pasi që hapej në disa kompani kineze. Kinezët përdornin ‘wechat’ (sipas një shënimi, mbi 700 milion përdorues) dhe ‘kikju’, dhe pak prej kinezëve ndjenin të nevojshme aplikacione si te ne, sepse ishin mësuar me të tilla ‘chat-e komunikimi kineze’! Kur e pyesja ndonjë kinez se si do të bëhej sikur t’ju gjenin autoritetet kineze se ju e keni hapur ‘facebook’-un, thonin se nuk ishte edhe ndonjë gjë anksioze, do të na mbyllnin! Por nuk ndodhte fare të ishte ky shqetësim për shumë të rinj kinez që takova! Thjeshtë rrinin në celularët e tyre inteligjentë dhe bënin jetë virtuale sikur ne, me programet, chat-et dhe mediet e tyre unike sociale!
(vazhdon)
Kosova Sot, 2 prill 2016