/2L ONLINE/ – Njësiti për monitorim i KFOR-it Turk, sot edhe zyrtarisht është vendosur në Komunën e Gjilanit, duke bërë kështu që prezenca e këtij njësiti të jetë permanente, me një staf prej 8 vetash, duke përfshirë këtu funksione të ndryshme në hierarkinë ushtarake dhe civile.
E pranishme në këtë event ishte edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, e cila i ka falënderuar trupat e KFOR-it për angazhimin në çështje të sigurisë si dhe qytetarët e vendit për bashkëpunimin dhe mikëpritjen që kanë treguar në vazhdimësi.
E nga ana e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se për kohë të gjatë KFOR-i Turk është angazhuar në fushën e sigurisë së përgjithshme për qytetarët e vendit.
Ai pas promovimit të shtëpisë së KFOR-it Turk, në Gjilan, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin, se Komuna e Gjilanit është e përkushtuar në bashkëpunimin e përhershëm me të gjitha njësitet e sigurisë ndërkombëtare që janë prezente në Kosovë, me qëllim që qytetarët të kenë siguri publike dhe mbrojtje në çdo kohë.
Ndryshe në këtë eveniment kanë marrë pjesë personalitete dhe figura publike nga niveli qendror dhe ai lokal, por edhe nga nivele të ndryshme të organeve të sigurisë duke përfshirë përfaqësues nga niveli vendor dhe ai ndërkombëtar. /2L ONLINE/