(2LONLINE) – Për krijimin e kushteve më të mira në procesin edukativo arsimor, autoritetet e KFOR-it kanë dhuruar sot Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” paralelja e ndarë në Pozheran një sasi të karrigeve dhe bankave shkollore. Zorlu Topaloglu, komandant i KFOR-it turk dhe njeherit Komandant i sektorit të Jug-Lindjes, është shprehur se po punojmë së bashku me KFOR-in polak, zviceran, amerikan dhe turk, që përpos angazhimit tonë në aspektin e sigurisë, gjithashtu po mundohemi që të mbështesim edhe arsimin.
“Duke u nisur nga komunat dhe institucionet tjera, jemi në një bashkëpunim të ngushtë, po mbështesim të rinjtë dhe krijimin e kushteve më të mira për mësim, ngase rinia është e ardhmja e këtij vendi. Nëse do të investosh në ardhmërinë e e një shteti, atëherë jepi prioritet investimit tek të rinjtë dhe arsimimin e tyre”, u shpreh kreu i KFOR-it turk Topaloglu.
Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, tha se bota ndërtohet prej gjërave të vogla dhe se do të merren me punët më të vogla të cilat ende janë të pakryera.
“Ne jemi orientuar të ecim përpara bashkë me ju dhe ndihma e ofruar është e mirëseardhur që do të ndikojë pozitivisht në ofrimin e kushteve më të mira për punë në këtë shkollë. Përpos angazhimit tyre në ruajtjen e sigurisë në vend, KFOR-i po na mbështet vazhdimisht edhe me investime e donacione që kanë për qëllim krijimin e kushteve të mira për shkollën, gjë që ky donacion nuk është i fundit pasi që për vite me radhë KFOR-i ka ndihmuar në sferën e arsimit”, u shpreh Haliti.
Me këtë donacion të KFOR-it, Gjimnazit Kuvendi i Lezhës në Pozheran i janë dhuruar 300 karrige dhe 100 banka shkollore./2lonline/