/2L ONLINE/ – Kryesia e KF Gjilanit ka mbajtur takim për të diskutuar mbi mbarëvajtjen e përgjithshme të organizimit të ndeshjeve dhe paraqitjes së dinjitetshme dhe korrekte të ekipit, qoftë si nikoqir qoftë si mysafir. Kryesia është zotuar për përkushtim të plotë për të siguruar zhvillimin e ndeshjeve sipas të gjitha rregullave të FFK-së, pa incidente dhe me kulturë të lartë sportive, thuhet në një njoftim të kësaj kryesie.
Më tej thuhet se në këtë frymë, Kryesia dënon të gjitha sjelljet që bien ndesh synimeve të mësipërme dhe ka kërkuar nga tifozët që t’i shmangen sharjeve, gjuajtjes së gjësendeve në stadium e sjellje të tjera të ngjashme. Për tifozët që demonstrojnë sjellje të këtilla, do të merren masa përmes të cilave atyre do t’u ndalohet hyrja në stadium.
Njëkohësisht, Kryesia përgëzon tifozët, Skifterat, për mbështetjen e vazhdueshme për Klubin, e në veqanti për disiplinën dhe kulturën e treguar në ndeshjen me KF Feronikelin, e cila përfundoi me fitore për KF Gjilanin. Kryesia mbështet këtë nivel të tifozërisë i cila promovon imazh pozitiv për Klubin dhe futbollin në përgjithësi.
Kryesia e KF Gjilanit është shprehur e kënaqur me performancën e deritashme të ekipit dhe edhe më tutje pret angazhim maksimal të ekipit dhe shtabit teknik në ndeshjet e ardhshme të këtij kampionati.
Në këtë takim gjithashtu u emërua Bekim Rexhepi si ushtrues detyre i Kryetarit të Klubit, ndërkaq Granit Mustafa u emërua zyrtar për media. /2L ONLINE/