Kf.Gjilani fiton bindshëm miqësoren me Kf.Vitia

Kf.Gjilani fiton bindshëm miqësoren me Kf.Vitia

Kf. Gjilani zhvilloi sot përballjen miqësore-kontrolluese me Kf.Vitia, në kuadër të fazës përgatitore për stinorin pranveror. Ndeshja u zhvillua në Gjilan, ndërsa u fitua me rezultat bindës 3:0 për vendasit.

Pjesa e parë ishte më e qetë me pak raste shënimi, gjersa trajneri i kuq e bardhëve, Arbnor Morina, inkuadroi prurjet e reja në klub dhe disa lojtarë nga ekipi junior, raporton 2LONLINE.com

e sponzorizuar

Të tre golat e fitores erdhën në pjesën e dytë me anë të Fuat Karabeg, Arbër Mustafa dhe Edon Sadriu.

Sekretari Gjeneral, Granit Mustafa, për 2LONLINE.com, ka thënë se kjo ndeshje ishte një përballje miqësore, por megjithatë mund të shërbejë për ta kontrolluar gjendjen, stabilitetin dhe përbërjen e re të klubit.

Mustafa theksoi se atmosfera në klub është e mirë dhe janë në fazën e përgatitjes intensive.

“Përgatitjet po i zhvillojnë te stadiumi ndihmës i qytetit dhe po shkojnë në mënyrën më të mirë të mundur. Atmosfera është në nivel dhe jemi në parapërgatitje e ushtrime intensive, gjersa presim ecuri të mbarë në stinorin pranveror”, ka thënë Granit Mustafa.

Përndryshe, Kf.Gjilani më 14 shkurt udhëton drejt Suharekës, për të zhvilluar betejën e parë kundër Kf.Ballkanit, ndeshje kjo që zhvillohet në kuadër të garës së Kupës së Kosovës.

Për këtë përballje, tifo klubi Skifterat janë në vlugun e organizimit për të dhënë mbështetje maksimale për klubin e zemrës, në udhëtim të mërkurën e javës së ardhshme. Këtë e tha për 2LONLINE, Shkëlqim Limani, një nga antarët e tifo grupit “Skifterat”.

/Elife Sherifi/

KOMENTE