(2LONLINE) – Ekspedita 28 anëtarësh e Klubit të futbollit Drita nga Gjilani do të udhëtojë në muajin shkurt për në Bursa të Turqisë, në kuadër të fazës përgatitore, si rrjedhojë e një bashkëpunimi të mirë që kanë arritur me Klubin e njohur turk Bursaspor.
Ismajl Rashiti, kryetar i Klubit i KF Drita ka bërë të ditur për Portlain 2L Online, se nga 16 deri më 23 shkurt, ekspedita e Dritës do të jetë në Bursa të Turqisë, ku do të kenë njërën nga fazat përgatitore, si rrjedhojë e një bashkëpunimi që do të kenë me Klubin futbollistik Bursaspor.
Rashiti ka falënderua në këtë drejtim edhe nënkryetarin e Klubit Drita, Adnan Osmani i angazhuar në arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit me Klubin e njohur turk Bursaspor.
Përndryshe, Rashiti ka thënë se qysh vitin e kaluar kanë pas kontakte dhe është prit shkuarja e klubit në Bursa, por se për shkaqe teknike nuk është realizuar udhëtimi. Por, tani është konfirmuar gjithçka dhe se ekspedita e Klubit të Futbollit Drita do të jetë në Bursa në periudhën e lartpërmendur.
“Besojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke qenë se KF Drita ka edhe Akademinë e Futbollit. Bashkëpunimi me Bursaspor do të jetë i ndërsjellë dhe edhe ata janë të mirëseardhur në Gjilan”, ka thënë Rashiti.
Ai shtoi se atje do të shfrytëzohet infrastruktura e Bursasporit për fazën përgatitore e sigurisht do të ketë edhe ndeshje kontrolluese. “Do të tentojmë të kemi ballafaqim edhe me ekipin e parë të Bursasporin, nëse e lejon orari i tyre, por natyrisht do të jenë edhe ekipet tjera me të cilat do të aranzhohen takime kontrolluese”, ka thënë Rashiti.
Ai ka përmendur edhe një të veçantë të qëndrimit që do ta ketë Drita atje në Bursa, pasi sipas tij, pikërisht ajo periudhë kur do të jenë atje do ta përfshijë edhe datën 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë, por se tha se nuk do të mërziten që nuk do të jenë në Kosovë, sepse për këtë kanë paralajmëruar se do të kujdesen shqiptarët e shumtë që jetojnë në Bursa, një pjesë e mirë nga Gjilani, të cilët veç i kanë kontaktuar dhe ua kanë bërë me dije se do t’i pret befasia për këtë datë të shënuar.
Përndryshe, Rashiti ka bërë me dije se do t’i bëjnë ftesë edhe kreut të komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, t’i bashkëngjitet ekspeditës së Dritës duke pas parasysh pikërisht faktin se atje jetojnë shqiptarë me prejardhje nga Gjilani, por se edhe për kontakte me institucione për të parë mënyrën e bashkëpunimit mes Bursës e Gjilanit, veçanti në sport, por pse jo edhe në sfera të ndryshme të jetës. /2lonline/