Thatësi e madhe paralajmërohet këtë verë në Kosovë. Madje edhe sikur të mos ndalen të reshurat që nga tani, sërish nuk ka mundësi ti shmanget thatësisë këtë vit. Kështu, do të ketë mungesë të madhe të ujit.
Këtë e paralajmëron Letafete Latifi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës se Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në ditën Botërore të Meteorologjisë.
Latifi shpjegon se kaq pak reshje sikur tani në Kosovë mbahen mend tepër rrallë. Sipas saj, në gjithë historinë kjo është hera e pestë që ka pasur kaq pak reshje.
“Nga matjet që ne kemi dhe monitorimi i vazhdueshëm i dukurisë së reshjeve, vërejmë se kemi një thatësi, sidomos tre muaj e fundit sasia e reshjeve është shumë shumë e vogël, që është shënuar vetëm në vitin 1934 ka qenë gjendja e tillë, edhe në të ’50 ka qenë e ngjashme, pastaj ’91, pra është rasti i pestë që ndodh në historinë e matjeve të Institutit me pas një gjendje të tillë me reshje aq të ulëta. Kjo gjendje reflekton në gjendje thatësie që ne veç kemi hyrë në Kosovë dhe do të ballafaqohemi me thatësira dhe deficit të ujit”, thotë ajo, në një intervistë në RTK.
Thotë se nuk kanë parashikime shumë mujore, por edhe nëse ka reshje gjatë verës prapë do ketë mungesë të ujit.
Latifi thotë se mungesa e borës është një nga faktorët kryesor për thatësinë që po vjen.
“Parashikimet që merr Instituti plotësojnë standardet e Bashkësisë Evropiane varësisht nga periudha e parashikimit. Nëse ne parashikojmë motin për disa ditë nëse vazhdim dhe është mbi 75% i saktë, pra nëse parashikojmë më shumë se 5 ditë atëherë bjen përqindja e saktësisë”, thotë Latifi.
Paralajmëron se në ditët në vijim do të ketë reshje të dobëta shiu, do të bie intensiteti ndërkohë, por prapë do kthehet.
Dita Botërore e Meteorologjisë ka filluar të shënohet që nga vitit 1950 kohë kur është themeluar Organizata Botërore e Meteorologjisë si një OJQ.