Këtë javë do të fillojë edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll, teksa tashmë janë bërë të ditura çiftet që do ta hapin edicionin 2019/20.
Pas verës së ‘nxehtë’ të transferimeve, garat ndërkombëtare dhe fazës intensive përgatitore të skuadrave, gjithcka është gati për edicionin e ri.
Në javën e parë do të ketë takime interesante dhe ndeshje derbi, teksa dy skuadrat nga qyteti i Gjilanit, Kf.Drita e Kf.Gjilani, takimet e para do t’i zhvillojnë Drita ndaj Ferizajit në shtëpi, ndërsa Gjilani do të udhëtojë në Mitrovicë për t’u takuar me Trepçën’89.
Në këtë javë, Bekim Isufi do të sfidojë ish – ekipin e tij Dritën në Gjilan si trajner i Ferizajit.
Dy derbi lokal do të zhvillohen qysh në hapje të kampionatit, derisa kampioni në fuqi Feronikeli e pret Drenicën, ndërkohë në kryeqytet takohen Flamurtari dhe Prishtina.
Ndërsa, derbi gjilanas do të zhvillohet në javën e 7-të, ku vendas do të jetë skuadra e Gjilanit.
Orari për ndeshjet e javës së parë do të mësohet gjatë kësaj jave.